Boksieri amerikan Terence Crawford mposhti sot me vendim unanim të gjyqtarëve meksikanin Saul Canelo Alvarez, duke qëndruar i pamposhtur (42 fitore, 0 humbje) në karrierën e tij.
Në duelin e zhvilluar në Las Vegas, 37-vjeçari amerikan thuajse e dominoi duelin. Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren (116-112, 115-113, 115-113), ndërkohë që meksikani detyrohet të ngrejë “flamurin e bardhë” (69 fitore, 3 humbje e 2 barazime).
Edhe pse dueli zhvillohej në peshën e Alvarez (pesha super e mesme), ai nuk arriti dot të triumfojë. Crawford u ngjit dy pesha më shumë për këtë sfidë dhe ia doli mbanë të marrë titullin.
Amerikani mban edhe titujt kampionë bote në peshën “welter” dhe mesme e lehtë. Pra, ai bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në 3 Divizione të ndryshme, çka tregon për epërsinë e tij.
Një duel që nis i qetë dhe pa shumë shkëndija në raundet e parë, por është Crawford ai që hera-herës ka inisiativën dhe është më konkret. Fakti që duelon me të dy duart i dha një epërsi të lehtë me kalimin e raundeve.
Edhe Alvarez ka një grusht të fortë, por jo mjaftueshëm sa për të fituar dhe në fundin e sfidës duket i dorëzuar. Crwaford mbrohet mirë dhe arrin të korrë një fitore të madhe mes 70 mijë shikuesve, që shijuan një sfidë të bukur.
