Një i ri nga Kosova i dyshuar për plagosjen e një mësueseje me thikë javën e kaluar në një shkollë profesionale në Gjermani, mund të ketë pasur një motiv “fetar” për sulmin, tha ministri Herbert Reul më 11 shtator.E përditshmja gjermane, Bild raportoi se i dyshuari 17-vjeçar më herët po ashtu kishte therur me thikë një të pastrehë në qytetin Esen, dhe kishte lënë një mesazh xhihadist në një video të incizuar me telefon.Herbert Reul, ministër i Brendshëm në landin Nordhajn Vestfalen, gjatë një mbledhjeje të Komitetit për punë të Brendshme të Parlamentit, tha se analizat fillestare të të dhënave digjitale tregojnë se “krimi ka qenë i motivuar nga aspekti fetar”.Prokurorët federalë të cilët merren me çështje të terrorizmit po e shqyrtojnë mundësinë që ta marrin përsipër këtë rast, tha Reul.Mesuesja 45-vjeçare pësoi plagë serioze pasi u ther me thikë në një shkollë profesionale javën e kaluar. Ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje emergjente kirurgjikale, por sipas Reulit, mësuesja tani gjendet jashtë rrezikut për jetë.Policia u konfrontua me sulmuesin e dyshuar, kur hasi në të rreth 3 kilometra larg nga kolegji dhe qëlloi atë me armë zjarri, pasi i dyshuari kishte pasur në dorë një thikë.I riu, i cili sipas mediave në Gjermani ishte student në shkollën ku ndodhi rasti, pasi u plagos gjatë konfrontimit me policinë u dërgua në spital për trajtim.Bild më 11 shtator zbuloi pjesërisht identitetin e të dyshuarit, duke e identifikuar si Erjon S. Kjo e përditshme raportoi se ai e kishte therur me thikë një të pastrehë 44-vjeçar para se të sulmonte mësuesen.Më pas ai kishte regjistruar një video në telefonin e tij, ku tha se mësuesja e kishte “fyer profetin” dhe bërtiti Allahu Akbar, raportoi Bild.“Hetuesit tani besojnë se studenti, i cili gjendet në paraburgim nën dyshim për vrasje të mbetur në tentativë, po ndiqte një plan terrorist islamist dhe e sulmoi mësuesen për shkak të fyerjes së supozuar të fesë së tij”, shkroi gazeta./REL
Kosovari sulmon me thikë mësuesen në Gjermani,policia dyshon për “motive fetare”
