James Rubin do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmësekretar amerikan i Shtetit, tha se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nis paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve më 15 shtator.
“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi [ish-kryediplomates së ndjerë amerikane] Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për emisionin Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.
Rubin, që ishte një figurë e rëndësishme gjatë luftës në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhënë më 2023, kishte folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për UÇK-në.
“Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare. Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë.
Sipas tij, UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit pas përfundimit të luftës.
Atëbotë, Rubin nuk kishte pranuar që të komentonte lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Më 15 shtator ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Pasi të ketë përfunduar ekipi i Thaçit, rastin do ta paraqesë edhe ekipi i Krasniqit.
Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve që do të thërrasë ka edhe figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
“Unë nuk mund të them këta emra në publik sepse bëhet fjalë për persona me një staturë të lartë, persona që janë shumë të njohur si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Dole etj”, tha njëri nga avokatët e Thaçit gjatë konferencës statusore të mbajtur më 19 gusht.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërras 11-12 dëshmitarë, duke synuar që ata të japin dëshmi në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.