12 Shtator 2025
10:12
Alfred Lleshi
Pas një periudhe të vështirë për Gjermaninë, e cila rrezikon të mos kualifikohet në Botërorin 2026, tifozët dhe media po kërkojnë rikthimin e Manuel Neuer, në prag të të 40-tave. Portieri i Bayernit kishte dhënë dorëheqjen pas Europianit 2024, ndërsa Nagelsmann promovoi Ter Stegen, që pas një dekade si zëvendës luksi, u përgatit për rolin e titullarit, edhe pse dëmtimi i gjurit e ktheu gjithçka në një sfidë.
Ter Stegen humbi vendin dhe pas një tjetër dëmtimi te Barcelona u kthye në portier të tretë. Sipas një sondazhi të “Bild” me mbi 75.000 votues, 49% dëshirojnë rikthimin e Neuer, ndërsa vetëm 20% mbështesin Ter Stegen. Agjenti i Neuer, Thomas Kroth, deklaroi se portieri është i gatshëm për rikthim në kombëtare.
Legjendat gjermane, Lothar Matthaus dhe Schweinsteiger, janë pro rikthimit të tij. Neuer do të ketë disa javë për të vendosur, por mund të jetë shpresë për Gjermaninë në betejën e kualifikueseve të Botërorit 2026.
