Adriatik BALLA
Gjermania ditët e fundit nga dy ndeshje të luajtura mori një humbje me Sllovakinë dhe siguroi më pas një fitore ndaj Irlandës së Veriut. Në të parën u turpërua, duke mos prodhuar as lojë, kurse në fitoren e fundit nuk pati ndonjë shkëlqim. Ajo që të gjithë specialistët po e ngrenë si shqetësim lidhet me faktin se Gjermania, nga një skuadër e jashtëzakonshme, është shndërruar në një ekip i rëndomtë europian. Ish-futbollisti gjerman, Toni Kros ka folur në “podcast”-in e tij “Einfach mal Luppen” së bashku me vëllain e tij, Feliks Kros sa u përket ndeshjeve të fundit të zhvilluara nga Kombëtarja e Gjermanisë. Prej tyre, humbja 0:2 nga Sllovakia dhe fitorja 3:1 ndaj Irlandës së Veriut. Natyrisht, nuk kanë munguar as kritikat.
“Kur e shikoj ekipin, e kam ndjenjën se nuk ka qenë kurrë më lehtë që të bëhesh lojtar i Kombëtares. Aktualisht, duket se mjaftojnë 3 apo 4 javë të mira për t’u ftuar direkt. Nuk është një shenjë e mirë. Nëse e shikon ekipin, dyshoj se ti i njeh krejt lojtarët që janë në ekip. A kam të drejtë”, i tha vëllai i tij ish-futbollistit të Bajernit të Mynihut dhe Realitt ë Madridit, kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014. 35-vjeçari i përgjigjet: “Ke të drejt në këtë pikë. A mund të më gjykojë dikush për këtë?” Kjo për arsye se Kroos nuk i njeh krejt lojtarët e Gjermanisë së trajnerit Nagelsman. Dhe, më pas e thotë me shaka vëllai i tij: “Sot do ta kishe mundësinë (të luajë për Gjermaninë)”, tha ai, me një kritikë të qartë për kualitetin e ekipit.
Për ta rritur më pas dozën: “Për momentin nuk e kemi një grup prej 50 futbollistësh të Kombëtares që janë të nivelit të lartë. Është kështu puna, në nivel ndërkombëtar puna është shumë më ngushtë.” Të dy u pajtuan se Gjermania nuk bën pjesë tek Kombëtaret që mund të kenë ambicie më të mëdha sepse, sipas tyre, të tjerët janë më të mirë. “Aktualisht jemi larg të flasim për titullin botëror, nuk jemi as në formën më të mirë. Por, presim që lojtarët e duhur të jenë në formë”, përfundoi Kros. Mesfushori gjerman, që u tërhoq nga futbolli, pati nnjë karrierë brilante me Realin e Madridit dhe për shumë opinionistë, specialist e trajnerë të njohur futbolli, është mëkat që ai nuk fitoi asnjëherë “Topin e Artë”. Gjithsesi, është nga futbollistët më cilësorë në botë në dekadat e fundit dhe përveçse fitoi shumë në karrierë, ai sppikati edhe si një lojtar pa vese dhe mjaft i natyrshëm, si një nga mesfushorët më të talentuar në historinë e lojës.
Toni Kros kritika Gjermanisë: Në këtë moment kombëtaret e tjera europiane janë më të mira
