Osmani: Të zhbllokohet Kuvendi, Parlamenti nuk mund të paralizohet për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë këtë të martë në një deklaratë për media lidhur me ngërçin që është krijuar në Kuvend për shkak të mos zgjedhjes së nënkryetarit të pestë që i përket komunitetit serb.
Ajo ka sqaruar pozicionin e Presidencës dhe ka theksuar se puna e parlamentit nuk mund të bllokohet për shkak të një nënkryetari,  vendi i të cilit do të mbetet vakant për tu plotësuar në një seancë të rradhës.
“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

Osmani kritikoi Listën Serbe dhe i kërkoi Kushtetueses të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme të vendit.
“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, tha Presidentja.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese pas anikimit nga Lista Serbe vendosi unanimisht masë të përkohshme përmes së cilës iu ndaloi deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin ndonjë veprim, si dhe  zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Masa do të jetë në fuqi deri në fund të muajit shtator më pas do të mbetet për tu parë se si do të vijohet me formimin e institucioneve të reja./vizionplus.tv