Bordin te Tirana, bardheblutë investojnë në drejtimin teknik

Tirana kryen revolucion në pankinë. Tashmë Roberto Bordin ish trajneri i AF Elbasanit ka marrë zyrtarisht punën e trajnerit të parë te Tirana.

Njoftimi i Tiranës:

Klubi i Futbollit Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me trajnerin Roberto Bordin.

Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që të nisë një bashkëpunim i ri.

Bordin është një emër i njohur në futbollin italian dhe ndërkombëtar, me përvojë të gjerë si trajner. Ai ka drejtuar ekipe si Sheriff Tiraspol, Neftçi Baku, Triestina, si dhe Kombëtaren e Moldavisë.

I urojmë trajnerit mirëseardhje dhe suksese në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu.

KF Tirana njofton gjithashtu arritjen e marrëveshjes me zëvendës trajnerin Marco Veronese.

Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që ai të bëhet pjesë e stafit teknik të drejtuar nga trajneri Roberto Bordin.

Veronese sjell me vete një përvojë të gjatë si lojtar dhe trajner. Në karrierën e tij si trajner, ka qenë pjesë e projekteve serioze në Itali, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka shërbyer edhe si zëvendës trajner i Kombëtares shqiptare gjatë periudhës së suksesshme nën drejtimin e Gianni De Biasi, çka e bën njohës të mirë të realitetit të futbollit shqiptar.

E mirëpresim Veronese dhe i urojmë suksese në punën e tij me ekipin bardheblu!

Vazhdo leximin