Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, mandatar formal për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të mbajtur të dielen në Prishtinë. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se sivjet kanë parë “përpjekje të rrezikshme” për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor nga subjektet parlamentare që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë. “Nuk mbaj mend të ketë pasur, politikisht, vit si ky. Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Me apo pavetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje, qysh prej certifikimit të rezultateve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë: vetem një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa kuvend”, ka theksuar Konjufca para të pranishmëve në sallë.
Kjo mbledhje vjen një ditë pas masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime të mëtejshme, si dhe ua ndalon atyre zhvillimin e ndonjë procedure në funksion të formimit të qeverisë së re deri më 30 shtator. Megjithatë, ai ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar politik. Madje, numri i dy i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dhënë edhe një ultimatum Gjykatës Kushtetuese. “Ose do të çelet rruga që kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. E skenari i tretë që as nuk mund ta imagjinoj është më i keqi i mundshëm: një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që i jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi kuvendin dhe do ta bëjmë qeverinë”, ka theksuar Konjufca.
LVV konfirmon Kurtin si Kryeministër të Kosovës
