Pas humbjes 2-1 të Bayern Munich ndaj Interit në “Allianz Arena”, Vincent Kompany shprehu besimin e tij për ndeshjen e kthimit në Milano. Trajneri belg theksoi se skuadra e tij beson në aftësinë për ta përmbysur rezultatin dhe për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Megjithëse vendimet e Kompany, si lënia në stol e Thomas Müller dhe zëvendësimet e bëra gjatë ndeshjes, u kritikuan nga media dhe analistët, ai mbetet optimist për mundësitë e përmbysjes në “San Siro”, në çerekfinalen e kthimit pas një jave:
“E nisëm mirë ndeshjen, dominuam në 30 minutat e para dhe mund të kishim shënuar 1 ose 2 gola, madje edhe më shumë. Edhe në pjesën e dytë ishim përsëri dominues, krijuam raste, por në fund e dimë se Thomas (Müller) ka gjithmonë një rol të rëndësishëm. Kur hyri në fushë, gjeti golin e barazimit. Ne u përgatitëm maksimalisht për këtë ndeshje dhe çdo vendim që morëm ishte për arsye futbollistike.
Interi ishte shumë i fortë sot, neve na dëmtoi mungesa e Musiala. Me Guerreiron në pozicionin e tij donim të gjenim ekuilibrin e duhur. Na duhen të gjithë lojtarët për t’i arritur objektivat tona. Mendoj se Guerreiro bëri një paraqitje të mirë sot, ashtu si edhe Müller. Shumë lojtarë luajtën mirë, vetëm rezultati nuk ishte i drejtë”.
Kompany nuk dorëzohet, beson te përmbysja në kthim: Rezultati ndaj Interit nuk ishte i drejtë
