Carlos Alcaraz triumfon në US Open, mund Sinner në finale dhe rikthehet numri 1 në botë

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz është shpallur të dielën në mbrëmje fitues i grand slam të US Open për meshkuj për vitin 2025. Në finalen e luajtur në Nju Jork, ai mposhti 3-1 (6-2, 3-6, 6-1, 6-4) italianin Jannik Sinner.
Një fitore e merituar për spanjollin, që rikthehet fitues në US Open pas tri vitesh. Për Alcaraz ky është suksesi i dytë në këtë turne, pas atij të vitit 2022. Në total, për Alcaraz ky është grand slam nr.6 i fituar në karrierë.
Ndeshja u dominua nga spanjolli (2 orë e 40 minuta), që edhe pse humbi në setin e dytë, ishte ndjeshëm më superior se rivali italian. Sinner bëri mjaft gabime, nuk ishte në gjendje të shërbente mirë, duke dorëzuar trofeun fituar një vit më parë.
Përveç titullit, Sinner dorëzoi edhe kreun e renditjes botërore, pasi tashmë është Alcaraz ai që ndodhet në komandë. Për italianin kjo ishte finalja e pestë radhazi në një grand slam, por këtë herë u detyrua të ngrejë “flamurin e bardhë”.
Alcaraz bëri një ndeshje thuajse të përkryer, duke dominuar në lojën në fundore dhe përfituar nga gabimet e kundërshtarit. Dy tenistët luajtën për të tretën herë radhazi në finalen e një grand slam këtë vit.
Alcaraz fitoi në Roland Garros, ndërsa Sinner në Wimbledon. Tashmë ishte radhaze spanjollit të buzëqeshte sërish. Në përballjet direkte, Alcaraz udhëheq 10-5 ndaj italianit, që zbret në vendin e dytë të renditjes botërore.