Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër në lidhje me sulmet e Albin Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ramush Haradinaj shprehet se është e dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon atë.
Kreu i AAK-së më tej thekson se e vërteta për bllokimin e shtetit të Kosovës ka vetëm një emër, dhe sipas tij ai është Albin Kurti.
“E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët.
Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses.
Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij!
E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!
Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në intepretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato! Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”-u shpreh Haradinaj.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese, për të cilën tha se po funksionion si hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku Kurti u propozua sërish për kryeministër, ai tha se në këto muajt e krizës politike, tre muaj vonesë u shkaktuan si pasojë e Kushtetueses, me bllokadat që ajo ka vendosur.
Kurti ‘sulmoi’ Gjykatën Kushtetuese, Haradinaj reagon ashpër: Më kujton shprehjen “kur hajduti bërtet kapeni hajdutin”
