Gjirokastra po tërheq çdo vit e më shumë vizitorë. Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qyteti i gurtë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për të huajt që kërkojnë të zbulojnë historinë dhe kulturën shqiptare.
Ata vlerësojnë veçanërisht bukuritë natyrore, historinë, ushqimin, por edhe mikpritjen shqiptare.
“Jam nga Zvicra. Bëmë udhëtimin e parë me makinë këtu në Shqipëri për dhjetë ditë. Shkuam në Himarë, Gjirokastër, Ksamil dhe patëm një përvojë shumë të mirë, ushqim të shkëlqyer dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm. Jemi gjithashtu shumë të lumtur që erdhëm këtu, shkëmbyem përvoja me ta dhe patëm një përvojë të mrekullueshme në këtë vend.”
“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë fantastike. Është një vend i mrekullueshëm, njerëzit janë të mrekullueshëm. Ka shumë histori, ushqimi është i shkëlqyer, qytete të mrekullueshme. Vizituam Shkodrën, bëmë ecje nga Valbona në Theth, që ishte e shkëlqyer. Pastaj shkuam në Sarandë dhe sigurisht në Tiranë.”
Një tjetër turiste e cila viziton Gjirokastrën për herë të parë, vlerësoi bukuritë e qytetit dhe njerëzit po ashtu.
“Po më pëlqen shumë, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe ambienti po më duket shumë bukur. Në mbrëmje është akoma më bukur.”
Një turiste gjermane ndau përshtypjet e saj për Shqipërinë, të cilën e konsideroi një vend të shkëlqyer.
“Jam nga Gjermania, ndërsa prindërit e mi nga Sri Lanka. Kam rrënjë aziatike dhe kjo është pjesë shumë e bukur e Evropës për t’u vizituar. Shqipëria është një vend i shkëlqyer për t’u vizituar. Thjesht e shijova qëndrimin tim këtu dhe u rekomandoj të gjithëve të vizitojnë Shqipërinë. Ky qytet është një nga vendet më të bukura që kam vizituar në jetën time dhe të lë pa fjalë. Ejani ta vizitoni,” u shpreh ajo.
Teksa ndau këto përshtypje të vizitorëve të huaj, Kryeministri Edi Rama tha se nga janari deri në korrik Gjirokastra ka mirëpritur 500 mijë vizitorë.
