Adriatik BALLA
Mundja shqiptare u bë sporti i parë në Shqipëri që solli medalje olimpike. Kjo ndodhi falë një strategjie që ndoqi Federata Shqiptare e Mundjes me president Sahit Prizrenin, ku u pajisën me pasaportë shqiptare tre mundës nga Federata Ruse, e dy prej tyre ia dolën të fitonin medalje bronzi në Olimpiadën e Parisit një vit më parë. Kështu, islam Dudaev dhe Çermen Valiev morën medalje bronzi, dy medaljet e para për Shqipërinë pas më shumë se 50 vjetësh nga pjesëmarrja e parë. Por “oreksi vjen duke ngrënë”, thotë populli, e në këtë kuadër Federata dhe presidenti Prizreni kërkojnë të kthehen tek medaljet edhe për këtë vit, e aktiviteti i parë në radhë është Kampionati Europian që zhvillohet në Sllovaki.
Mundësi që përfaqëson Shqipërinë, Çermen Valiev, do të garojë në finale të Kampionatit Evropian, që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë. Valiev ka arritur në finale të kategorisë deri 74 kilogramë, ndërsa të mërkurën mbrëma përballet me Zaurbek Sidakov. Sidakov është nga Rusia, ndërsa prezanton federatën ndërkombëtare të mundjes. Edhe Valiev është nga Rusia, përkatësisht nga Osetia Veriore. Por prej vitit të kaluar e përfaqëson Shqipërinë. Madje për Shqipërinë fitoi medalje të bronztë olimpike në “Parisi 2024”. Për medalje të bronztë do të luftojë Zelimkhan Abakharov, mundësi tjetër i natyralizuar nga Shqipëria.
Edhe peshëngritja po përpiqet të rikthehet në skenën ndërkombëtare
Peshëngritja, sporti që i ka dhënë Shqipërisë shumë medalje nga garat ndërkombëtare, synon të rrisë pretendimet e veta dhe të kthehet në garat e mëdha ndërkombëtare, me ambicie për të fituar medalje të rëndësishme. Për të shkuar deri në atë pikë peshëngritja po synon të rrisë cilësinë në kampionatin shqiptar, pra të shtojë numrin e sportistëve dhe të rrisë rezultatet e tyre në garat kombëtare para se të mendohet për garat ndërkombëtare. Fundjavën e kaluar u zhvillua kampionati kombëtar për moshat U-17 dhe U-20, ku pati pjesëmarrje të mirë dhe disa rezultate befasuese e premtuese. “Ditën e premte, më datë 4 prill 2025, u zhvillua Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për kategoritë U17 dhe U20. Ky aktivitet sportiv u karakterizua nga një pjesëmarrje dinjitoze e sportistëve të rinj, të cilët përfaqësuan me përkushtim klubet e ndryshme nga e gjithë Shqipëria.
Sportisti më i mirë u shpall Antonino Murizi, i cili realizoi një total dygarësh prej 276 kg, duke thyer gjashtë rekorde kombëtare në çdo stil. Gara ishte tejet e fortë dhe konkurruese, me sportistë që luftuan kile pas kileje për vendet e para. Atmosfera në sallë ishte fantastike, e mbushur me të rinj dhe entuziastë të këtij sporti, duke krijuar një ambient motivues dhe frymëzues për të gjithë të pranishmit. Ky kampionat shërbeu si një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin e talenteve të reja dhe promovimin e sportit të peshëngritjes në vend”, shkruan FSHF në faqen e saj në rrjetin social “facebook”.
Mundësit medalistë olimpikë të Shqipërisë në finalet e Europianit, Valiev lufton për të artën
