Pushuesit dynden për plazh edhe në fundjavën e parë e shtatorit, trafik i rënduar në Lezhë

Fundjava e parë e shtatorit ka sjellë një tjetër fluks të lartë të pushuesve që shkojnë drejt bregdetit të Shëngjinit dhe zonave të tjera turistike në veri të vendit. Si pasojë, segmenti rrugor Milot-Lezhë vijon të përballet me trafik të rënduar, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe ato të pasdites, kur qytetarët nisen ose kthehen nga pushimet.

Gazetari Martin Marku, i cili raporton për Klan News nga Lezha, bën të ditur se automjetet atje qëndrojnë të bllokuara për orë të tëra, pasi ky aks nuk përballon dot fluksin e lartë të automjeteve.

“Unë jam i pozicionuar në një nga pjesët e segmentit Milot-Lezhë, pikërisht në afërsi të kryqëzimit që të çon në plazhin e Shëngjinit. Jam disa metra larg këtij kryqëzimi, ku herë pas here ka një trafik të rënduar për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe dyndjes së tyre drejt zonave bregdetare të Lezhës, por jo vetëm. Ky aks të çon edhe në qytetin e Shkodrës dhe nuk e përballon dot këtë fluks të shtuar, sidomos gjatë fundjavave.

Gjatë këtij sezoni është vërejtur një trafik mjaft i rënduar edhe gjatë ditëve të javës, që prej fillimit të muajit korrik. Gjithashtu edhe muaji gusht u shoqërua me një fluks të lartë të qytetarëve që iu drejtuan zonave bregdetare të Shëngjinit dhe Velipojës. Më problematik është segmenti Milot-Lezhë, Lezhë-Shkodër, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe më pas në dalje gjatë orëve të pasdites, ka trafik. Siç e shikoni ka makina të ndaluara pas krahëve të mi.”, tha Marku, nga segmenti në hyrje të Lezhës, ku qytetarët zgjedhin të shkojnë osë në Shkodër, ose drejt shëngjinit.

Zgjidhja e shumëpritur për këtë situatë është zgjerimi i aksit Milot-Lezhë. Deri atëherë, qytetarët e kalojnë këtë segment në një trafik që zgjat 3 deri në 4 orë, veçanërisht gjatë pikut të sezonit.

“Mbetet një problematikë përgjatë gjithë sezonit veror dhe konkretisht deri në përfundimin e zgjerimit të këtij segmenti, një projekt i trumpetuar fort nga ana e qeverisë shqiptare, që do të zgjidhte problemin e trafikut të rënduar. Turistët e bëjnë këtë rrugë për 3-4 orë gjatë pikut të sezonit. Vijojnë të jenë edhe ditët e para të muajit shtator.”, tha Marku.