Çelet kësti i pestë i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, publikohet lista e përfituesve

Ministria e Financave ka nisur procedurën e pagesës së këstit të pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore, përfshirë trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë.

Përmes një komunikate për mediat bëhet me dije dhe lista e parë e dosjeve në radhë për përfitimin e këtij kësti, ku përfshihen emrat e përfituesve që plotësojnë kriteret ligjore dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Kjo nismë vjen në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Financave Nr. 12, datë 20.08.2025, si dhe ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Procedura e pagesës zhvillohet edhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 419, datë 14.01.2011, që rregullon afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist.

Në bazë të dokumentacionit të depozituar pranë Drejtorisë përkatëse të Ministrisë së Financave, kontrollohet me kujdes çdo dosje individuale, ndërsa pagesat kryhen sipas rendit të përcaktuar dhe pas pagesave të mëparshme.

Ky është një tjetër hap konkret i qeverisë për të përmbushur angazhimet ligjore dhe historike për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre. Për më shumë informacion dhe listën e plotë të përfituesve, Ministria e Financave ka vënë në dispozicion linket në njoftimin zyrtar.