26 Gusht 2025
8:27
Alfred Lleshi
Rinovimi i skuadrës dhe mbajtja e lojtarëve kryesorë janë dy objektivat që Interi ka në merkaton verore, sipas Beppe Marotta. Objektiva të arritur, siç theksoi vetë presidenti i zikaltërve: “Ne kemi refuzuar disa oferta për disa nga lojtarët tanë, më pas kemi kërkuar të shfrytëzojmë disa mundësi në merkato. Futbolli italian është tashmë në plan të dytë, nuk mund të bëhen çmenduri, duhet të jemi kreativë. Është folur për Lookman, por Atalanta vendosi të mos e nxjerrë në merkato.
Modeli ynë është të fokusohemi te të rinjtë. E kemi bërë këtë duke investuar në katër profile me një moshë mesatare prej 21 vitesh, pa harruar Pio Espositon. Gjithçka në marrëveshje me sektorin teknik. Po ndërtojmë një skuadër në përputhje me programet e ‘Oaktree’. Ndonjë tjetër përforcim? Nuk jemi në kërkim të një mbrojtësi, sepse aktualisht nuk kemi nevojë. Do të shohim nëse do të dalin mundësi, por prapavijës i besojmë dhe ofron garanci të mëdha. Nuk parashikoj ndryshime rrënjësore, nëse dikush largohet, do të marrim një zëvendësues”.
I qartë ishte edhe referimi për Pavard, i cili pritet të qëndrojë në Milano. Fjalët e fundit iu kushtuan trajnerit Chivu: “Nuk është zgjidhje e dytë (plan B), e kemi zgjedhur sepse di të punojë me të rinjtë dhe ka luajtur me Interin në të kaluarën. Fabregas ishte thjesht një kandidat. Sa për titullin, Napoli është pretendent serioze, por ne jemi të detyruar të garojmë si protagonistë sepse kemi skuadër të fortë”.
