Adriatik BALLA
Pas përjashtimit të Rusisë dhe pezullimit me kusht të Bjellorusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, UEFA duket se është vënë sërish nën presion, pasi i kërkohet të përjashtojë Izraelin nga garat e futbollit. Një nismë e guximshme, por që është kërkuar nga një vend me tradita të thella të të drejtave të njeriut sikurse është Italia. Kështu, shoqata e Trajnerëve të Futbollit në Itali, AIAC, ka kërkuar të mërkurën që Izraeli të pezullohet nga garat ndërkombëtare të futbollit, për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Para ndeshjeve vendimtare të Italisë në kualifikimet për Kupën e Botës kundër Izraelit në dy muajt e ardhshëm, AIAC-i theksoi se “Izraeli duhet të ndalet. Edhe futbolli duhet të marrë masa”.
AIAC ia ka dërguar një letër zyrtare Federatës së Futbollit të Italisë – e cila do t’u përcillet shtëpive të futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA – duke kërkuar pezullimin e Izraelit. “Bordi i Drejtorëve të AIAC beson njëzëri se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, të cilat kanë shkaktuar edhe qindra viktima mes drejtuesve, trajnerëve dhe sportistëve është e ligjshme, e domosdoshme, madje detyrim, që të vihet në qendër të bisedimeve në federata, kërkesa që UEFA dhe FIFA ta përjashtojnë përkohësisht Izraelin nga garat sportive”, thuhet në letër. “Sepse, dhimbja e së kaluarës nuk mund ta errësojë ndërgjegjen e as njerëzinë e askujt”, thuhet tutje në letër. Italia pritet të përballet me Izraelin në fushë neutrale në Debrecen të Hungarisë, më 8 shtator, para se ta presë atë ndeshjen e kthimit në Udine, më 14 tetor.
“Ne mund të përqendroheshim vetëm në lojë, duke kthyer shikimin nga ana tjetër. Por, besojmë se kjo nuk është e drejtë”, tha nënkryetari i AIAC, Giancarlo Camolese. Itali gjithashtu luajti kundër Izraelit në Udine tetorin e kaluar në një ndeshje të Ligës së Kombeve, e cila u shoqërua me protesta para dhe gjatë lojës dhe masa të rrepta sigurie, përfshirë snajperë mbi çatinë e stadiumit. Që atëherë situata ka vazhduar të përkeqësohet në Gazë, dhe numri i palestinezë të vrarë nga lufta 22-mujore e ka kaluar shifrën prej 62.000 në fillim të këtij muaji. “Bota është në flakë. Shumë njerëz si palestinezët po vuajnë”, tha nënkryetari i AIAC, Françesko Perondi. “Shpërfillja e kësaj është e papranueshme”, përfundoi ai. Duhet thënë se krimet monstruoze të ushtrisë izraelite në dëm të fëmijëve palestinezë kanë shokuar botën, ndaj dhe një presion i madh ndërkombëtar po ndikon tek qeveritë perëndimore të ndërhyjnë duke ushtruar presion tek qeveria izraelite. Një pezullim i Izraelit nën shembullin rus mund të rrisë presionin brenda vetë Izraelit.
Shoqata e trajnerëve italianë i kërkon UEFA-s të përjashtojë Izraelin nga garat e futbollit
