Jasir Asani kalon zyrtarisht në Iran, prezantohet me fanellën e klubit të Esteghlal

Adriatik BALLA
Sulmuesi i krahut i Kombëtares, Jasir Asani, më në fund ka kaluar në superligën iraniane, duke u bërë pjesë e klubit të njohur, Esteghlal. Natyrisht, kalimi atje nuk ishte i lehtë, pasi lojtari kishte pengesa nga klubi që kishte kartonin, Guangju në Korenë e Jugut, por më në fund erdhi momenti dhe ai e ka bërë lëvizjen e tij edhe zyrtarisht, për të hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. Janë vetë mediat serioze sportive që shkruajnë se Jasir Asani është zyrtarisht lojtar i klubit legjendar iranian Esteghlal. Sulmuesi shqiptar kalon nga Guangju për një shifër që raportohet të jetë rreth 1 milion euro, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij ndërkombëtare.
Ndryshe nga plani fillestar që e parashikonte bashkimin me ekipin në janar, marrëveshja u përshpejtua dhe klubi e ka sulmuesin në dispozicion menjëherë, duke lënë të kënaqura të gjitha palët e përfshira. Esteghlal konsiderohet një nga klubet më të njohura dhe më të mbështetura në Iran, dhe tifozët kanë treguar entuziazmin e tyre duke uruar Asanin në rrjetet sociale. Pas aventurës së tij në Korenë e Jugut, sulmuesi shqiptar nis një eksperiencë të re, ndërsa të gjithë sytë janë tek performanca e tij në kampionatin iranian. Pas muajsh spekulimesh dhe ndryshimesh të datave, historia e transferimit të Asanit te Esteghlal duket se ka gjetur fundin e saj, duke i dhënë këtij kapitulli të merkatos një përfundim të ngjashëm me një telenovelë për futbollin shqiptar.
Mesazhi emocionues për klubin jugkorean
“Thonë se gjithçka është shkruar tashmë, fillimi dhe fundi. Kjo ishte historia jonë me Guangjun, 2 vite e gjysmë të paharrueshme, të mbushura me kujtime, emocione të forta, momente gëzimi, festimesh, por edhe momente trishtimi. Por mbi të gjitha, ishte një histori që do të lërë përgjithmonë gjurmë në jetën time. Tani ka ardhur koha të largohem nga shtëpia ime, klubi që më rriti, më formoi dhe më dha mundësinë të përfaqësoja Kombëtaren shqiptare, ku ëndrra ime e fëmijërisë u bë realitet dhe luajta me krenari në Kampionatin Evropian. Mund të shkruaja për ditë të tëra për atë që ky klub dhe ky qytet do të thotë për mua, por asnjë fjalë nuk do të jetë e mjaftueshme për të përshkruar mirënjohjen time. Përgjithmonë mirënjohës që u rrita përkrah Guangju, përgjithmonë mirënjohës për udhëtimin që patëm së bashku. Forca Guangju!”, shkruan Asani në letrën e tij drejtuar klubit jugkorean.
Kombëtarja
Kalimi i lojtarit në kampionatin iranian ka të mirën dhe të keqen. E mira është se lojtari hap një kapitull të ri në karrierë dhe mund të rezultojë akoma më efikas krahasuar me pjesëmarrjen në kampionatin jugkorean. Nga ana tjetër, kampionati iranian nuk ka cilësinë e mjaftueshme që të mundësojë pjesëmarrjen në ekipin përfaqësues. Pra lëvizja e Asanit mund të mos ketë efekt pozitiv që ai të ruajë ftesën në Kombëtare, pasi rivaliteti është shumë i madh dhe atij i duhet të punojë shumë që ta meritojë ftesën e aq më tepër të aktivizohet në fushën e lojës.