Sot dita e Dinamos në Europë, dueli i parë me Jagiellonian në transfertë

Adriatik BALLA
Nga të gjitha skuadrat e Superiores që morën pjesë këtë vit në kupat e Europës, në garë vijon të mbetet vetëm Dinamo Siti, skuadër që e nisi direkt nga turi i dytë i Ligës së Konferencës dhe tani gjendet në fazën “play-off”, me shumë se kurrë pranë fazës së grupeve. Dinamo shpreson ta kalojë dhe këtë pengesë, që është Jagiellonia polake, dhe të mundësojë ëpr herë të parë në historinë e saj të shkojë në fazën e grupeve. Ekipet e tjera si Partizani, Vllaznia dhe Egnatia, u eliminuan nga gara pa bërë ndonjë bujë. Ndaj “nëndetësja” dinamovite është krenari e Superiores në Europë për këtë sezon dhe nën udhëheqjen e trajnerit Ilir Daja shpreson të japë grupet. Kështu, Dinamo Siti do të luajë këtë të enjte ndeshjen e parë të fazës “play-off” të UEFA Conference League. Një rrugëtim shumë i suksesshëm deri tani për dinamovitët, të cilët janë vetëm një hap larg për të shkruar historinë, ndërsa pengesa e radhës është skuadra polake Jagiellonia. Një ekip me shumë forcë dhe eksperiencë europiane, por aspak i pakalueshëm. Skuadra e Ilir Dajës e tregoi këtë ndaj gjigandëve kroatë të Hajduk Split, ku në “Air Albania” zhvilloi një ndeshje të madhe, fitoi 3-1 dhe siguroi kualifikimin për në fazën “play-off” të Conference League. Ndeshja e parë Jagiellonia – Dinamo Siti do të luhet të enjten, më 21 gusht, në orën 20:15, në stadiumin “Stadion Miejski ë Białymstoku”. FSHF i uron shumë suksese Dinamo Sitit në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Conference League.
Shtyhet ndeshja me Teutën, njoftim i federatës
Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ndeshja Teuta-Dinamo Siti, e vlefshme për javën e parë të kampionatit “Abissnet Superiore”, nuk do të zhvillohet ditën e diel, më 24 gusht, por më 5 shtator, në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Kjo shtyrje vjen pas kërkesës së klubit Dinamo Siti, për shkak të angazhimit në fazën “play-off” të UEFA Conference League, ndërsa dakordësimi është arritur edhe me klubin e Teutës, i cili ka shprehur mirëkuptim për situatën dhe ka pranuar që ndeshja të luhet në një datë tjetër. Dinamo Siti do të zhvillojë ndeshjen e parë në “play-off” të Conference League ndaj Jagiellonia më 21 gusht, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 28 gusht.
Çelkupa lë Dinamon, i bashkohet Luftëtarit
Jord Çelkupa është lojtari më i ri i AF Luftëtarit. Klubi i ri i Gjirokastrës, që debuton në Kategorinë e Parë këtë sezon është përforcuar kështu në mbrojtje. Çelkupa ishte pjesë e Dinamos me moshat prej dy vitesh. Pasi e mbylli me ekipin U-21, vendosi të transferohej në Gjirokastër. 20-vjeçari regjistroi edhe tre paraqitje me ekipin e parë të Dinamos në sezonin e kaluar. Minutat që mori ishin në Superiore. “AF Luftëtari njofton afrimin e mbrojtësit Jord Çelkupa, i cili do të përfaqësojë ngjyrat Blu e Zi në sezonin e ri. Mbrojtësi 20-vjeçar, i ardhur në formën e huazimit nga ekipi i Dinamos, ka firmosur një̈ kontratë 1-vjeçare me klubin tonë. Çelkupa shihet si një̈ përforcim i rëndësishëm për repartin difensiv, duke sjellë energji të re dhe potencial për të ndihmuar ekipin në objektivat e këtij sezoni. I urojmë suksese dhe sa më shumë arritje me fanellën Blu e Zi!”, shkruan klubi gjirokastrit.