Hezitimi i Bolonjës për t’i plotësuar kushtet Asllanit, i hap rrugë një tjetër skuadre për të firmosur me yllin shqiptar

Ngrirja e marrëdhënieve mes Kristjan Asllanit dhe Bolonjës për arritjen e marrëveshjes së transferimit, duket se dpo shfrytëzohet më së miri nga Torino, e cila do të rihapë negociatat me yllin shqiptar të Interit.

Asllani kërkonte 2 milionë euro në vit për të firmosur me Bolonjën, ndërsa klubi i ofronte 300 mijë euro më pak për të lidhur një marrëveshje afatgjatë me të. Interi ndërkohë ishte “spektator”, pasi kishte gjetur akordin për shitjen 9 milionë euro të lojtarit, duke mbajtur 40% të një shitje të mundshme të ardhshme.
Hezitimi i Bolonjës ka zgjuar përsëri Torinon, pasi siç raporton “Sky Sport” në Itali, klubi në fjalë ka bërë hapa konkret për të bindur Asllanin të zgjedhë atë.

Bëhet e ditur se Torino është më i gatshëm për të paguar Asllanin sa kërkon ai, falë edhe një buxheti më të madh që ka në dispozicion. Palët po bisedojnë, ndërsa pritet që të rivendosen kontaktet edhe me Interin për të finalizuar një transferim nëse të gjithë bien dakord.