Pas gati tre javësh bllokadë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët i rikthehen përpjekjeve pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i detyron ata që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Seanca do të nisë në orën 11:00, ku në rend dite janë dy pika: zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
Ky afat një mujor nisi të hënën e 18 gushtit pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tre herë. pas publikimit të vendimit, kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.
Më 26 qershor, Kushtetuesja detyroi gjithashtu deputetët të konstituonin Kuvendin brenda 30-ditësh, nuk u arrit asnjë kompromis. Vazhdimet e seancës të mbajtura nga 27 qershori deri më 27 korrik u shpallën të pavlefshme, pasi Kushtetuesja argumentoi se nuk ishte respektuar aktgjykimi i saj paraprak.
Megjithatë, shanset për të zgjidhur ngërçin politik janë të pakta pasi Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur sërish në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita nuk tregon gatishmëri për kompromis.
Seanca konstituive për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill. Por, për shkak se asnjëra parti nuk ka arritur ta bëjë e vetme shumicën dhe nuk u arrit një marrëveshje politike, çështja ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kosovë/ Pas 3 javësh kaos, deputetët kthehen sot në Kuvend
