Adriatik BALLA
Merkato e kësaj vere duket se do të ketë surpriza deri në sekondën e fundit të afatit të lejueshëm për transferime. Duket se skenën po e dominon Reali dhe Mançester Siti, të cilët zhgënjyen në sezonin e shkuar de dëshirojnë të bëjnë kthesë. Kështu, Pep Guardiola ka dhënë dritën jeshile që Mançester Siti të bëjë edhe një tjetër transferim të profilit të lartë, sipas raportimeve. Përforcimet e verës, Tijani Reijnders dhe Rajan Çerki, shënuan që të dy në debutimin e tyre, duke e ndihmuar Sitin të niste sezonin e Premier League me një fitore bindëse 4-0 ndaj Uolves në Molineux. Ndërkohë, me largimin e 22-vjeçarit Xhejms McAtee, i cili iu bashkua Notingham Forest për 30 milionë euro, ka gjasa që në “Etihad” të mbërrijnë edhe emra të tjerë të mëdhenj.
Sipas të përditshmes spanjolle Defensa Central, Guardiola dëshiron ta sjellë te Siti sulmuesin anësor të Realit të Madridit, Rodrygo. E ardhmja e brazilianit është në dyshim, pasi ai po konkurron për një vend titullari me emra si Vinicius Jr, Kilian Mbape, Endrik, Franko Mastantuono dhe Arda Gyler. Për këtë arsye, minutat e tij mund të reduktohen ndjeshëm në një vit ku zhvillohet edhe Botërori. Po sipas Defensa Central, Guardiola i ka bërë të qartë përfaqësuesve të Rodrygos se ata kanë shtatë deri në tetë ditë kohë për të vendosur nëse duan transferimin te Siti. Nëse 24-vjeçari nuk merr një vendim brenda këtij afati, atëherë kampionët e Anglisë do të tërhiqen nga interesimi. Gjithashtu, ardhja e tij është e varur nga shitja e Savinjos drejt Totenhem Hotspur. Në lidhje me të ardhmen e Rodrigos, trajneri Ksabi Alonso, duke folur për “Goal”, nënvizoi se është prioritet i tij si teknik që secili lojtar të angazhohet me grupin.
“Ka shumë zëra gjatë verës. Ai ka qenë duke u stërvitur dhe duke luajtur mirë. Unë po llogaris te të gjithë lojtarët dhe dua që ata të jenë të përkushtuar 100% për ekipin. Ky është prioriteti im”, nënvizoi Alonso. Ndërkohë, Guardiola konfirmoi se për pjesën tjetër të merkatos dëshiron të fokusohet tek largimet, duke theksuar se preferon të punojë me një skuadër më të vogël. “Janë shumë lojtarë, shumë njerëz. Më pëlqen të kem një skuadër të thellë për të konkurruar në të gjitha garat, por nuk dua të lë lojtarë jashtë. Nuk është e shëndetshme. Nuk mund të krijosh atmosferë pozitive për të konkurruar. Secili duhet të ndiejë se ka mundësi të luajë dhe të ndihmojë. Klubi e ka ditur këtë që nga sezoni i kaluar, nuk është diçka e re. Por situata është kjo që është. Në dy javët e ardhshme, njerëzit do të bisedojnë me lojtarët dhe agjentët për të gjetur një zgjidhje”, theksoi Guardiola.
Merkato për Mançester Sitin nuk është mbyllur, Guardiola vë kusht ardhjen e “yllit” të Realit
