Sirena arabe për kapitenin e Juventusit, Manuel Locatelli. Al Ahli, kampion në fuqi i Azisë, ku luajnë edhe ish-‘yjet’ e Serisë A, Franck Kessié dhe Roger Ibanez, është në kërkim të një mesfushori mbrojtës dhe ka identifikuar tek juventini profilin e duhur.
Klubi nga Jeddah ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 25 milionë eurosh për bardhezinjtë, duke propozuar edhe një pagë të majme për numrin 5 të Juves.
Megjithatë, klubi torinez nuk e ka marrë as në konsideratë propozimin.
Për trajnerin Igor Tudor, Locatelli është një pjesë thelbësore e projektit të ri teknik dhe shihet si titullar i padiskutueshëm.
Përveç rolit në fushë, ai është edhe një nga pikat kryesore të dhomës së zhveshjes, së bashku me Federico Gattin.
Edhe pse Al Ahli është gati të ngjitet deri në 30 milionë euro, dera e Juventusit duket e mbyllur.
Në planet e klubit saudit, Locatelli është pjesë e një grupi të vogël me tre mesfushorë që synohen për të forcuar repartin qendror.
Përveç tij, në listë është edhe Youssouf Fofana i Milanit (i konsideruar i paprekshëm nga kuqezinjtë) dhe ish-lojtari i Juves, Denis Zakaria i Monacos.
Për Zakarian, Al Ahli ka shkuar deri në 45 milionë euro, edhe pse ende nuk ka marrë miratimin e lojtarit.
Nëse ky transferim do të konkretizohej, Juventusit do t’i takonte një përqindje nga rishitja e mesfushorit.
