E pabesueshme, por e vërtetë. Tirana e historisë dhe traditës së madhe në futbollin shqiptar, skuadra më e titullar në vend, mban vendin e fundit të renditjen e Superiopres për momentin. Jemi në “stacionin” e 33-të të kampionatit, kanë mbetur për t’u luajtur edhe tri javë të Superiores (pa “final four”), ndaj rreziku për t’u rrëzuar një kategori më poshtë është më prezent se kurrë te bardheblutë.
Për ta evituar këtë katastrofë, e cila nuk do të ndodhte për herë të parë, gjithsesi, duhet fituar derbi i mbrëmjes së sotme ndaj Partizanit dhe tri sfidat në vijim. Në të kundërt, investimi i klubit do të “hidhet në erë”, emri i madh i Tiranës do të njollosej pa masë. Bledi Shkëmbi, trajneri i bardhebluve, e ka përshkruar kështu përballjen e sotme me “demat e kuq”, ku nuk ka rrugë tjetër veç fitores:
“Është ndeshje jetike, pasi me gabimet tona e kemi bërë kështu situatën, kritike përsa iu përket pikëve. Pra, nuk e shohim vetëm si derbi, ku dihet që të dyja skuadrat japin mbi maksimumin për ta fituar. Luftojmë për mbijetesën, duhet të bëjmë shumë më tepër se Partizani. Po vuajmë për pikët, duhet të bëjmë diçka ndryshe nga ajo ndaj Elbasanit.
Duhet të kemi fytyrë tjetër, jo si me Elbasanin, që e nisëm mirë, por në fund u treguam të vegjël. Duhet të vrapojmë dhe luftojmë më shumë, pasi ndeshjen e fundit pashë se skuadra ndryshoi në besim. Mua nuk m’u duk që u vetëkënaqëm, por hymë në presion, skuadra vuan anën psikologjike.
Shpresoj që Partizani të mos jetë në një ditë të mirë, edhe pse problemin e kemi pasur te vetja e jo kundërshtarët. Nuk po e bëjmë mirë pjesën tonë, kemi zhvilluar ndeshje të mira në minuta të veçanta, por duhet të kemi vazhdimësi. Nuk ia lejoj vetes dhe skuadrës që të merremi me të tjerët, kur vetë nuk jemi aty ku duhet.
Patjetër që ka një ndryshim te Partizani me ardhjen e Gegës në stol, është një skuadër që duhet analizuar më tepër. Kam parë një Partizan me më shumë luftë dhe ego këto dy ndeshjet e fundit. Ne po bëjmë shumë gabime, iu kemi bërë ndere kundërshtarëve, duhet ta mbyllim tani këtë qasje të gabuar.
Do të mundohemi të sulmojmë për ta shënuar sa më shpejt golin. Që në ditën e parë në këtë kampionat e kam orientuar skuadrën vetëm të fitojë, duhet të bëjmë maksimumin për të marrë 3 pikët, edhe pse nuk ka asnjëherë siguri. Për të fituar duhet të luftosh dhe vraposh.
Ndodh që bën një ndeshje të mirë dhe humb, po ashtu luan ndeshje të dobët dhe fiton. Tifozët kanë të drejtën e tyre që në këtë moment të jenë të mërzitur, e them me sinqeritet, por ne të gjithë largohemi nga Tirana, ajo mbetet. Kjo Tiranë është e tifozëve, ndaj në këtë derbi presim mbështetjen e tyre më të madhe të mundshme”.
Shkëmbi kërkon ndihmën e tifozëve në derbi: Ne jemi kalimtarë, Tirana është përjetësisht e juaja
