Adriatik BALLA
Lojtarët e Kombëtares po punojnë fort në këtë periudhë për të qenë gati për ndeshjet e sezonit të ri. Ata duan të lenë gjurmë me performancën e tyre, të rrisin minutat në këmbë e njëherësh të fitojnë trofe. Ka prej tyre që ende presin sinjale në merkato, sikurse janë Kumbulla, Muçi, Asllani e ndonjë tjetër, pa harruar edhe kapitenin kuqezi Berat Gjimshiti, një nga më të vlerësuarit e Atalantës dhe Serisë A italiane, i cili është përfshirë në projektin e një Milani të madh të Igli Tares. Nga ana tjetër, duket se për Jasir Asanin Koreja e Jugut nuk është mjaftueshëm dashamirëse, pasi ish-klubi i tij, Guangju, e ka fshirë nga lista sezonale.
Gjimshiti në projektin e ardhshëm të Milanit
Referuar mediave të ndryshme sportive dhe që bazohen nga të dhënat e dala nga klubi i Milanit, pas shitjes së Malik Çau, Milani është kthyer në merkato për të afruar një qendërmbrojtës me eksperiencë. Alegri kërkon një lojtar të besueshëm që njeh mirë kampionatin dhe Igli Tare kësisoj ka piketuar një emër që e njeh mjaft mirë si Berat Gjimshiti. Gazetari i njohur për lidhjet me klubin kuqezi, Karlo Pelegati, ka bërë të ditur se Tare e Gjimshiti janë në diskutime prej javësh për një hipotezë të mundshëm transferimi. Deri tani nuk ka pasur asnjë hap konkret, por me largimin e Çau drejt Njukasëll, Gjimshiti kthehet në një emër shumë të diskutuar në Milano. Vetë Tare raportohet se ka përjashtuar munsësinë që emri që do i bashkohet Tomori, Gabia e Pavloviç të jetë një tjetër i ri. Ndaj eksperienca e Gjimshtit e bën atë kandidatin perfekt për t’iu bashkuar këtij grupi lojtarësh cilësorë.
Asani ndëhskohet pse zgjodhi Esteghlal në Iran
Për Jasir Asanin vijnë lajme jo të mira tek Guangju në Korenë e Jugut. Zgjedhja e tij për të ikur në janar ka bërë që klubi ta penalizojë. Referuar “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares gjeti akordin me klubin iranian për transferimin në janar, kur t’i përfundonte kontrata me klubin korean. Këtij të fundit duket nuk i ka pëlqyer vendimi i sulmuesit Kombëtares dhe ka nisur hakmarrjen, duke e lënë Asanin për të dytën javë radhazi jashtë listës së grumbullimit për ndeshjet e kampionatit, edhe pse futbollisti është padyshim ylli i ekipit. Koreanët dëshironin në fakt që Asani të rinovonte kontratën, ose të paktën të fitonin diçka financiarisht nga shitja e tij, ndaj vendimi i lojtarit për t’u larguar si futbollist i lirë, nuk është pritur mirë në klub. Qëndrimi kundër tij është përsëritur edhe sot, në ndeshjen ndaj Pohjang, në të cilën Asani nuk figuron në listën e skuadrës. Zgjidhja e vetme në këtë pikë mbetet që dy klubet të gjejnë akordin që Asani të lejohet të transferohet që tani te Esteghlal, gjë që është edhe qëllimi i klubit iranian, i cili e kishte bërë të ditur këtë hipotezë që kur njoftoi për firmën me të një javë më parë. Mbetet të shihet ky raport në ditët në vijim, por me sa duket koreanojugorët janë të inatosur me sulmuesin shqiptar, Asani, ndaj po e lënë në stol. Nga ana tjetër, lënia në stol dhe mungesa e minutave mund të sjellë mungesën e ftesës në Kombëtare.
Gjimshiti në projektin e Tares te Milani, Asani zhgënjehet sërish nga klubi korean
