FOTO / Rama promovon Livadhin: Një mëngjes i qetë nga plazhi i Himarës

Në një postim të publikuar herët këtë të diel, më 10 gusht, kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit një pamje nga plazhi i Livadhit në Himarë, duke uruar të gjithë qytetarët për një ditë të qetë dhe relaksuese.

“MIRËMËNGJES. dhe me qetësinë që dhuron plazhi i Livadhit në Himarë, ju uroj një të diel të paqtë.”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke e shoqëruar mesazhin me disa imazhe të bregdetit.

Plazhi i Livadhit, një prej perlave natyrore të rivierës shqiptare, shtrihet në një gjatësi prej 1.2 kilometrash dhe ka një gjerësi prej rreth 100 metrash. Rëra e pastër dhe e pasur me minerale, uji kristal i kaltër dhe natyra përreth e bëjnë këtë destinacion një nga më të kërkuarit nga turistët, veçanërisht të huajt, gjatë muajve të verës.

Ky postim vjen në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar turizmin bregdetar dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë, në një sezon veror që po shënon shifra rekord në numrin e vizitorëve vendas dhe të huaj.