Adriatik BALLA
Përfaqësuesja ka një kontigjent cilësor që ka pretendime të paktën për vend të dytë në grupin K të eliminatoreve të Botërorit. Por gjeografia e aktivizimit të lojtarëve tanë është shumë e gjerë. Kuptohet, në Itali luan shumica. E mes tyre spikasin edhe dy mesfushorët kuqezi të Leçes, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, ku peshorja kohët e fundit ka anuar në favor të të dytit. Kurse për Myrto Uzunin mund të thuhet se po kalon momente të mira me Austin në SHBA, e në një intervistë të fundit shqiptari u ka treguar amerikanëve se suksesi i tij nuk është aspak rastësor.
Ramadani ka humbur pikë krahasuar me Berishën, trajneri i Leçes ka dy fjalë për secilin
Marko Xhampaolo ka ide të qarta rreth lojës që kërkon nga mesfushorët e tij dhe në mënyrë indirekte ka shpjeguar se pse preferon Medon Berishën para Ylber Ramadanit. Ndërsa nuk ka kursyer komplimentet për djaloshin e ri të Leçes, ai ka lënë të kuptohet se Ramadani ka humbur vende në hierarki për shkak se nuk ka qasje ofensive. “Berisha është një lojtar i fortë dhe ka të gjithë vlerësimin tim. Duhet të bëjë hapin e tij, të sigurojë vazhdimësi në ndeshje. Zgjedhja e lojtarëve nuk është kurrë absolute, është e ndikuar edhe nga lloji i kundërshtarit. Zgjedhjet i bëj sipas ndeshjes në bazë të opsioneve që kam. Berisha është një lojtar që mua më pëlqen. Ramadani? Nuk mendoj se është një problem personaliteti, duhen respektuar karakteristikat e lojtarëve. Helgason mund të gjuajë, Ramadani më pak. Ka mesfushorë me prirje ofensive dhe mbrojtëse. Pastaj duhet të gjejmë golin edhe nga goditjet standarte. Ata para pak a shumë punën e tyre po ë bëjnë. Sipas meje flasin karakteristikat. Ndoshta do të flitet në qershor, kjo nuk na çon askund”, tha Xhampaolo i pyetur për dy futbollistët shqiptarë gjatë konferencës së sotme për mediat.
Uzuni: S’ka asgjë rastësore, suksesin e kam ndërtuar me mund
Sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni, u largua nga Spanja dhe në merkaton e janarit, për t’u bërë pjesë e skuadrës së Austin në SHBA. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Austin Chronicle”, ku ka folur për karrierën e tij. “Kam nisur të luaj që kur isha i vogël dhe sigurisht që jam rritur duke u stërvitur. Kjo ishte zgjidhja ime e vetme në shtëpinë time. Kështu që nuk ka pasur një fëmijëri të lumtur. Dhe e vetmja zgjidhje ishte të isha futbollist, sepse nuk ishim të pasur, ishim një familje normale. Po punoja shumë, i kushtova kohën time futbollit. Po jepja gjithçka. Prandaj jam sot këtu. Nuk është fat, është punë”, tha ai. Uzuni ka arsye të jetë krenar për arritjet e tij ku në tre sezone me Granadën, një klub me mbi 90 vjet histori, ai u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit me 49 gola në 106 paraqitje. “Unë shënoj shumë gola. Kam thyer rekorde. Megjithatë, ai gjithashtu e bëri të qartë se nuk ka interes të ndalet në arritjet e së kaluarës, duke thënë: “Qëllimet e mia janë të qarta dhe unë dua të shkruaj histori. E kaluara ime më mësoi të vlerësoja atë që kam tani. Prandaj po jap dyfish në fushë dhe nuk jam kurrë i lumtur dhe gjithmonë jam i zemëruar. Nuk bëhet fjalë që unë të jem egoist apo të sjell këtë mentalitet. Kjo nuk është një mënyrë e mirë për të ndihmuar ekipin. Dua që skuadra të më shohë mua si shembull”, përfundoi Uzuni.
Ramadani humbet pozicionin me Berishën, Uzuni u tregon amerikanëve se suksesi i tij s’është rastësor
