Ish-mesfushori i Juventusit, Emre Can, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, botuar sot, ku foli për sfidën që Borussia Dortmund e tij do të zhvillojë të dielën, pikërisht kundër bardhezinjve të së shkuarës së tij në Torino. “Për fat të keq, të dielën nuk do të luaj, – sqaron ai, – por do të jem në stadium dhe do ta shfrytëzoj rastin për të përshëndetur shumë miq. Nuk do ta harroj kurrë Juventusin dhe në mënyrë të veçantë ditën e parë në ‘Continassa’ me CR7”.
Duke analizuar momentin e “Zonjës së Vjetër”, ai shpjegon: “Futbolli është i përbërë nga cikle, në kohën time ishin Chiellini, Bonucci, Barzagli, Dybala, Ronaldo, Khedira… Juventusi në vitet e fundit ka bërë rinovim gjeneratash, mjafton të mendosh se nga skuadra ime kanë mbetur vetëm Perin, Pinsoglio dhe Rugani”.
Për të shkuarën e tij bardhezi, gjermani shtoi: “A do të kisha dashur të qëndroja më gjatë? Futbolli është kështu. Më kishte kërkuar me ngulm Allegri dhe më pas, mbas një sezoni, erdhi Sarri, i cili kishte ide të tjera. Asnjë pendesë, përkundrazi, ajo bardhezi ka qenë një eksperiencë fantastike”.
Ndërsa për një rikthim të mundshëm: “Kurrë mos thuaj kurrë në futboll… Kam qenë shumë mirë, çfarë do të ndodhë pas një ose dy vitesh nuk mund ta di. Sigurisht, për momentin kam në mendje vetëm Borussia Dortmundin. Jam kapiten dhe dua të kthehem sa më shpejt në fushë për t’i ndihmuar shokët e mi dhe zhvilluar një sezon në nivel të lartë. Verën e ardhshme do të zhvillohet Botërori në SHBA dhe do të bëj gjithçka për ta merituar ftesën e Gjermanisë”.
Emre Can për Juventusin: Eksperiencë fantastike, u largova për shkak të Sarrit
