Pas një merkatoje të zjarrtë me afrimet e Florian Wirtz, Hugo Ekitiké, Jeremie Frimpong dhe Milos Kerkez, Liverpool-i është gati për një tjetër goditje sensacionale. Sipas asaj që raporton “L’Équipe”, të kuqtë kanë vënë në shënjestër Bradley Barcola, sulmuesin anësor të PSG dhe asistuesin më të mirë të sezonit të kaluar. Francezi i lindur në vitin 2002 është një nga përparësitë e klubit kampion anglez për të kompletuar një repart ofensiv që tashmë është yjor.
Në të njëjtën kohë, me dosjen e ndërlikuar të Alexander Isak, për të cilin Newcastle kërkon shifra astronomike, dhe kontakteve të zbehta për Rodrygo, Liverpool-i ka identifikuar te Barcola profilin ideal: i shpejtë, teknik dhe me potencial të madh për t’u rritur. Megjithatë, operacioni nuk pritet të jetë aspak i lehtë. PSG, e njohur për qëndrimet e ashpra në negociata, nuk ka ndërmend ta lëshojë një nga talentet e veta më të çmuar. Edhe Luis Enrique e konsideron ende qendror në projektin e tij.
Megjithatë, ardhja e Khvicha Kvaratskhelia në janar dhe shpërthimi i të riut Désiré Doué, “MVP” i finales së Ligës së Kampionëve, i kanë reduktuar hapësirat për Barcola, duke e shtyrë të mendojë për të ardhmen e tij dhe të ngurojë për rinovimin e kontratës. Liverpool-i po e ndjek me vëmendje situatën dhe, i vetëdijshëm për vlerën e lojtarit, mund të paraqesë së shpejti një ofertë zyrtare. PSG, nga ana e tij, ka vendosur tashmë çmimin: jo më pak se 100 milionë euro.
Liverpooli nuk e ka mbyllur merkaton… Isak mbetet në shënjestër, pastaj “sulmi” për Barcola
