8 Gusht 2025
8:05
Alfred Lleshi
Në një intervistë për “Il Messaggero”, ish-portieri i Sampdorias dhe Interit, Gianluca Pagliuca, ka folur për garën e titullit në Serie A dhe situatën në portën e Interit mes Yann Sommer e Josep Martinez:
“Kthehemi te diskutimi i ngjashëm me atë të Napolit, ku Meret dhe Milinkovic-Savic ndajnë rolet. Është e qartë që Yann Sommer mbetet titullar, por Cristian Chivu ka qenë shumë i qartë; do t’i japë më shumë hapësirë Josep Martinezit. Zvicerani është ende i pari, por Martinez mund të ketë disa mundësi, sidomos duke parë numrin e madh të ndeshjeve që do të luajë Interi”.
Për sa i përket luftës për “Scudetton”, Pagliuca parashikon një skenar të ngjashëm me sezonin e kaluar: “Do të jetë sërish një duel mes Interit dhe Napolit, por me shumë variabla. Nëse Interi arrin të marrë Lookman, mund të ketë përparësi të madhe. Skuadra e Antonio Contes do të duhet të menaxhojë mirë energjitë, pasi Liga e Kampionëve do t’ia konsumojë shumë”.
Ndërsa për zonën Champions: “Përveç Interit dhe Napolit, them se do të jenë edhe Milani e Juventusi, që do të sigurojnë një vend në Champions League”.
