Adriatik BALLA
Barcelona ka ambicie të kthehet në ditët e veta më të mira, për të luftuar për Champions League, dhe objektivi i saj bazohet në cilësitë e grupit dhe veçanërisht kualiteti i disa talenteve si Jamal etj, që mund të shkruajnë histori me ngjyrat blaugrana. Së fundmi mësohet se Lamine Jamal është lojtari më i shtrenjtë në botë. Talenti i Barcelonës ka lënë pas të gjithë yjet e tjerë të futbollit, duke marrë vendin e parë në renditjen e përditësuar nga siti i specializuar në tregun e transferimeve, “Transfermark”. Vetëm 18 vjeç, kartoni i Lamine Jamal vlerësohet 200 milion euro.
Një shifër e çmendur, por që nuk i afrohet aspak klauzolës 1 miliard euro që e mban të lidhur me Barcelonën, pasi firmosi rinovimin e kontratës. Për t’u kthyer sërish te renditja e futbollistëve më të shtrenjtë, sulmuesi spanjoll le pas Jude Belingham. Mesfushori anglez vlerësohet 180 milion euro, aq sa Erling Haland dhe Kylian Mbape, por për shkak të moshës, ai i paraprin sulmuesin norvegjez të Mançester City dhe atij francez të Real Madrid. Pesëshja e parë e klasifikimit plotësohet me Vinicius Junior. Real Madrid dominon me katër lojtarë në dhjetë vendet e para, pasi në listën e futbollistëve me vlerë kartoni më të lartë se 100 milion euro bën pjesë edhe Federiko Valverde. Pjesë e këtij “klubi” janë edhe talentet e tjera të futbollit botëror si Bukayo Saka, Pedri, Florian Virtz dhe Jama Musiala. Ndërkaq, mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka shprehur publikisht mbështetjen për shokun e skuadrës, Lamine Jamal, duke e cilësuar 18-vjeçarin si një nga pretendentët kryesorë për të fituar Topin e Artë 2025.
Në një intervistë për gazetën AS pas fitores 7-3 të Barçës ndaj FC Seul në ndeshjen parasezonale në Korenë e Jugut, Gavi lavdëroi talentin dhe progresin e shpejtë të Jamalit, i cili ka shkëlqyer si me klubin ashtu edhe me kombëtaren spanjolle. Ndërkohë, Barcelona e ka ndëshkuar të “rebeluarin” Andre Ter Shtegen. Gjiganti katalanas njofton se ia ka hequr shiritin e kapitenit portierit gjerman. Rolin e kapitenit të parë do ta marrë zëvendës-kapiteni i deritashëm, Ronald Araujo. Gjithashtu, kampioni spanjoll ka njoftuar se ka hapur procedurë disiplinore ndaj tij për shkak se portieri gjerman refuzoi t’ia dorëzonte klubit raportin mjekësor të operimit të tij. mbetet të shihet se si do të përfundojë ky raport i tensionuar mes portierit dhe klubit, por për gjermanin duket se nuk ka më vend në radhët e Barcelonës.
Jamal bëhet lojtari më i shtrenjtë në botë, kalon 200 milionë euro vlera e kartonit të tij
