Adriatik BALLA
Merkato e Njukasëllit është e varur shumë nga qëndrimi që po mban një nga lojtarët kryesorë të grupit, Aleksandër Isak. Ky i fundit dëshiron të kalojë te Liverpuli i cili ka shprehur simpati dhe është gati të bëjë një ofertë të majme financiare për të. Por klubi ka refuzuar deri tani dhe është pikërisht Njukasëlli që pengon, duke bërë që lojtari të përkeqësojë situatën në raport me klubin e rrjedhimisht të krijohet një situatë e pakëndshme, e cila mund të ketë pasoja për moralin e grupit gjatë sezonit të ri.
Në fakt, përplasja e Aleksander Isak me Njukasëll u përshkallëzua dje kur sulmuesit iu urdhërua të stërvitej veçmas nga shokët e ekipit dhe të qëndronte larg grupit në fushën e stërvitjes gjatë drekës. Edie Houe, trajneri i Njukasëllit, kishte organizuar mbledhjen për lojtarët dhe stafin e tij, partneret dhe fëmijët e tyre, por Isakut iu tha të shtynte mbërritjen e tij për stërvitje dhe të stërvitej vetëm deri vonë në pasdite. Pjesa tjetër e skuadrës ishte vënë në provë nga Houe ndërsa ata u rimblodhën për herë të parë që nga fluturimi i tyre gati 15-orësh nga Seuli. Isak mungonte nga udhëtimi para-sezonal në Singapor dhe Korenë e Jugut, pasi sulmuesi suedez u përpoq të detyronte një transferim për tek Liverpul. Edhe pse klubi pretendoi se një tendosje e vogël në kofshë e kishte penguar atë të ishte pjesë e turit në Azinë Juglindore, skanimet nuk treguan shenja dëmtimi. Në vend që të stërvitej ose të merrte trajtim në Njukasëll, Isak fluturoi për në Spanjë tek ish-klubi i tij Real Sociedad, ku u stërvit vetëm për pjesën më të madhe të javës së kaluar.
Houe tha se mësoi për këtë ekspeditë përmes medias dhe para se të largohej nga Seuli tha se lojtarët që shfaqin “sjellje të keqe” mund të humbasin të drejtën për t’u stërvitur me skuadrën e tij. “Duhet ta fitosh të drejtën për t’u stërvitur me ne. Ne jemi Njukasëll Junajtid. Lojtarët kanë përgjegjësi të jenë pjesë e një ekipi dhe e një skuadre. Asnjë lojtar nuk mund të presë të sillet keq dhe të stërvitet me grupin. Duhet të sillesh në mënyrën e duhur”, tha tekniku britanik. Liverpulit i është refuzuar një ofertë prej 110 milionë paundësh për Isak, por Njukasëlli beson se do të kthehen me një ofertë më të lartë sapo të gjendet një zëvendësues i përshtatshëm. Kjo kërkesë ka rezultuar frustruese, pasi objektivi i tyre të fundit, Benjamin Sesko të RB Leipzig, gati për t’u bashkuar me Mançester Junajtid.
Isak dëshiron të shkojë te Liverpuli, por Njukasëlli e pengon, rritet përplasja e lojtarit me klubin anglez
