FSHB – MUZE TURPESH!

Adriatik BALLA
Basketbolli është në pikë të hallit. Si të mos mjaftonin skandalet e njëpasnjëshme dhe rënia e cilësisë sportive në tërësi në garat kombëtare të basketbollit, vjen një disfatë në Europianin e moshës U-20 për femra ndaj Serbisë, që jo vetëm nxjerr zbuluar lakuriqësinë e basketbollit tonë, por na kujton se çdo term “arritje” në gojën e zyrtarëve të koshit është për t’u hedhur në kosh e njëherësh për të kujtuar komunitetin e basketbollit të reflektojë sa nuk është vonë për këtë situatë mjerane e pa perspektivë që ka mbërthyer basketbollin shqiptar. Më poshtë gazeta paraqet një analizë të bërë nga zhvillimet dhe rrethanat e krijuara, duke mos kursyer faktet, ironinë dhe goditjen në kokë të problemit, sepse problemi është pikërisht te kokat drejtuese të basketbollit tonë.
“Muzeu i turpeve”
Pas turpeve të njëpasnjëshme të Presidencës së Avni Ponarit dhe Sekretariatit të Franko Bushatit, “muzeut të turpeve” të FSHB-së i shtohet së fundmi edhe një tjetër suvenir i ndryshkur: humbja historike 116-22 e vajzave të U20 ndaj Serbisë, në një ndeshje të vlefshme për Kampionatin Europian U20. Një skandal mediatik që po përmbyt rrjetet sociale dhe opinionin sportiv. Kjo sigurisht nuk është faturë për trajnerin apo ndihmësit e tij, por për vetë FSHB-në dhe për ata që rrinë pas gardheve, duke çuar mesazhe me “litar” në zyrat e Presidentit dhe të Federatës. Për sa kohë kjo zyrë dëgjon fjalët e atyre që shiten se i duan të mirën basketbollit, por që nuk bëjnë tjetër veçse kujdesen për interesat e tyre të ulëta dhe të vogla dhe trullosin dynjanë me thashetheme, kjo federatë e lëkundur dhe pa vizion do të vazhdojë të prodhojë turpe dhe të mbushë “muzeun” e saj të konsoliduar të turpeve.
FSHB: PA PROGRAM PUNE, PA STRATEGJI
Ndërkohë që federatat serioze – si ajo e Kosovës – kanë më shumë se një muaj që kanë shpallur formatet dhe strategjitë e sezonit të ri, FSHB hesht. Nuk ka mbledhje, nuk ka konsultime me shoqatat, nuk ka platformë pune. Përkundrazi, kur shoqatat kërkojnë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete, ato injorohen haptazi. Sepse këtij institucioni nuk i intereson as progresi, as transparenca. E vetmja gjë që funksionon janë tarifat e fryra dhe favorizimet për servilët.
Franko Bushati: Sekretari “MEME”
Pak orë më parë, Bushati, në një intervistë si i ftuar dhe spektator i një spektakli gjigant të organizuar nga Antonio Shabani dhe Roni Gjecaj në Shkodër, i mahnitur nga organizimi që s’ka lidhje me atë çfarë ai shet mend e fryhet nëpër intervista, tha me zë dhe figurë: “Duhet të lexoj rregulloren e 3×3 për të parë nëse sekretarët lejohen të luajnë.” Një deklaratë qesharake që do të trondiste çdo zyrtar të FIBA-s dhe që nxjerr në pah nivelin skandaloz të njohurive – një sekretar që nuk ka as idenë më minimale për detyrën që mban edhe pse tanimë ka dy vite në krye të FSHB. Për më tepër, në këtë event të mbajtur në Shkodër – ndryshe nga ai i organizuar po në Shkodër nga federata e Ponarit dhe Bushatit – pjesëmarrja dhe entuziazmi bënë diferencën e asaj që di të bëjë FSHB dhe individë që e duan atë që bëjnë, si Antonio Shabani dhe Roni Gjecaj. Për t’u theksuar janë dhe eventet javore që bën drejtori i këtij formati 3×3, që vetëm me formatin 3×3 nuk kanë lidhje, luajnë vetë ekipet e të punësuarve të federatës dhe fitojnë po vetë ata, pastaj dalin po vetë foto në rrjete sociale. E turpshme! Pra, shqetësimi për sekretarin nuk është përgatitja për sezonin e ardhshëm, por mundësitë për të luajtur vetë. Nuk çuditemi që me firmë të presidentit dhe sekretarit të na vijë një rregullore me tarifa të dyfishuara dhe rregulla të shpikura në mbështetje dhe favorizim të servilëve të FSHB-së, që kanë kontribuar me komente dhe mesazhe pozitive në rrjete sociale apo telefonata e mesazhe drejtuar presidentit apo sekretarit. Çfarë strategjish sportive dhe financiare ka FSHB pas shumë viteve eksperiencë në europiane moshash? Natyralisht lindin pyetjet, ku rezultatet janë njësoj ose më keq nga vitet e para të pjesëmarrjes:

Ku shkojnë fondet e destinuara për ekipet kombëtare, kur trajnerëve u kërkohet të financojnë vetë?
Ku shkojnë të ardhurat e gjeneruara nga shifrat e çmendura të federimeve të shoqatave?
Ku janë strategjitë e kualifikimeve të trajnerëve? Mos ndoshta shkojnë në xhepat e Ponarit dhe Bushatit, sepse këta në dalje televizive thonë që këto pagesa shkojnë për kombëtaret e moshave, por në realitet të gjithë e kanë marrë vesh që kombëtaret e moshave po mbahen nga investimet e trajnerëve. Një turp akoma më i madh.
Kush mban përgjegjësi për turpet e padinjitetshme me përfaqësimet kombëtare?
Ku janë anëtarët e kryesisë që duhet të kundërshtojnë çdo vendim arbitrar dhe klientelist të presidentit?
Ku janë komisionet që duhet të bëjnë analizat e performancave sportive dhe atyre financiare?

I vetmi komision që ekziston në këtë federatë të kalbur është Komisioni i Disiplinës që merr vendime sipas tekave të presidentit dhe sekretarit dhe ka në përbërje “vezirë me pagesë”. Po ashtu ekziston dhe SPOC, që nuk e morëm vesh se për çfarë shërben dhe kujt i intereson që linçohen personazhe pa identitet dhe pa eksperiencë. Nga kush duhet të presim përgjigje, çfarë presim për një Asamble të Jashtëzakonshme???? Ndërkohë që çdo anomali e kësaj federate pëshpëritet rëndom kafeneve dhe rrjeteve sociale, asgjë nuk thuhet me zë se basketbolli shqiptar po mbahet peng nga dy-tre njerëz që nuk kanë as moralin të përgjigjen para votuesve të tyre.
Çfarë presim të na bëjnë më shumë se injorimi, paaftësia për të na drejtuar, tallja publike që na bëjnë duke u prezantuar me anadollakë si në arenën kombëtare ashtu dhe në atë ndërkombëtare, zhvatja me tarifat më të larta në rajon dhe Evropë, shpikje skemash me baza financiare dhe jo aftësish profesionale, largim dëshire për tu marrë me basketboll? Ndërkohë që presim e-mailet për Asamblenë e kërkuar dhe dërgimin e njoftimit për ndryshime në rregulloren e 2025-26 dërgon njoftime klinikash, duke treguar se po bën punë, kur ato njoftime si vlejnë askujt veçse atyre që zgjedh vetë për t’i kualifikuar, se të tjerët ndjekin dhe certifikohen nga patenta prestigjioze por që FSHB nuk di t’i lexojë.