Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike do të ofrojnë këtë vit të ri akademik dy programe të reja në Bachelor dhe në Master.
Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, në një intervistë për RTSH sqaron se këto programe synojnë të plotësojnë nevojat e tregut të punës.
“Do të hapim dy programe të reja: një program Bachelor – Data Science, Inxhinieri Matematike, që është trendi i kohës; programi i dytë, një Master Shkencor në Aktualistikë për të plotësuar nevojat e tregut shumë të rëndësishëm të sigurimeve,” thotë Prof. Fundo.
Fundo sqaron se programet e Politeknikut janë të gjitha të kërkuara, por një vit më parë kërkesë më të madhe kanë pasur ato të Teknologjisë së Informacionit.
“Këtu nuk mund të ndaj programet e studimit në Arkitekturë dhe Urbanistikë, Inxhinierinë Elektrike… Studentët që vijnë në Universitetin Politeknik janë studentë të dedikuar që para se të futen në gjimnaz, e kanë ndarë mendjen,” tregon rektori.
Ndërsa të gjithë ata kandidatë për studentë që synojnë Arkitekturën dhe Urbanistikën do të mund t’i zhvillojnë konkurset e pranimit më 20 gusht.
“60 për qind e kësaj është formula që del nga mesatarja dhe 40 për qind i ka testi,” sqaron Prof. Fundo.
Universiteti Politeknik ofron këtë vit 3.800 kuota për programet Bachelor dhe Master, pothuajse e njëjta shifër si një vit më parë.
