Adriatik BALLA
Në Zvicër luan një kontigjent i rëndësishëm lojtarësh shqiptarë, që kanë peshë në skuadrat e tyre dhe mbajnë faqet e para të mediave sportive. Xherdan Shaqiri është i pari në listë. Ndërkohë, Bazeli është përgjigjur me fitore 2:1 pas humbjes me rezultat të njëjtë në hapje të edicionit të ri në Superligën e Zvicrës në futboll. Bazeli të shtunën fitoi ndaj Grasshoperit, ndërsa në xhiron e parë kishte pësuar nga St. Galleni. Ndaj Grashoperit të dy golat i shënoi sulmuesi nga Nigeria, Filip Otele. Asistimin për golin e dytë, që ishte i fitores, e bëri Xherdan Shaqiri. Ai krosoi bukur nga një goditje dënimi në minutën e 75-të. Por, sipas analistëve në Zvicër, 33-vjeçari Shaqiri ende nuk e ka gjetur formën që e kishte në edicionin e kaluar kur udhëhoqi Bazelin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës. Shaqiri ishte lojtari i tretë i Bazelit me më së paku prekje të topit.
“Shaqiri ka shënuar aq shumë gola sa që kjo bëhej me automatizëm. Te Bazeli kishin besim të madh në aftësitë e tyre. Pasi e humbën ndeshjen e parë, ekipi dhe Shaqiri duhet të punojnë për t’u kthyer në ritëm”, ka thënë Rolf Fringer, ish-selektor i Zvicrës. Ai ka folur në cilësinë e analistit në “Blue Sport”. Fringer ka pasur kritika ndaj Shaqirit. “Ai është ambicioz. Ai dëshiron që gjërat të përmirësohen shpejt dhe të fillojë të shënojë gola. Por ai duhet të mësojë këtë edicion se duhet të punojë fort së pari”, nënvizoi Fringer. “Ekipet po luajnë pak më fort kundër tij. Ai duhet ta përballojë të gjithë këtë, edhe pse si gjyqtar duhet ta mbroni. Por ai ende duhet të ankohet më pak dhe të koncentrohet më shumë në ndeshje. Natyrisht, fitoret e kthejnë ritmin e duhur”, shtoi ai.
Qëndrimet e kritikëve
Shaqiri ka pasur vazhdimisht afër një lojtar të Grasshoperit. Në momente është dukur i nervozuar, ndërsa ka pasur edhe ankesa. Ish-futbollisti Filipe Montandon, ka thënë se Hasane Imourane i Grasshoperit ishte si hije për Shaqirin. “Shaqiri ende nuk është në ritëm. Ndaj Grasshoperit kishte hijen me Hasanen, që nuk i është ndarë. E kishte Behar Nezirin në ndeshjen me St. Gallenin, që e ka ruajtur shumë mirë për 90 minuta. Kjo ndonjëherë është frustruese për Shaqirin”, ka thënë Montandon. Por ai ka shtuar se Shaqiri vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për Bazelin. “Ai sërish bëri pasimin vendimtar për golin e dytë. Një top nga goditja standarde kur gjërat nuk po shkonin mirë në lojë”, ka theksuar Montandon. Edhe trajneri i Grasshoperit, Gerald Sheiblehner, ka veçuar momentin e pasimit të Shaqirit nga goditja e dënimit.
Ai kishte folur edhe para ndeshjes për krosimet e rrezikshme të Shaqirit nga ndërprerjet. “Në fund të fundit rutina e Shaqirit vendosi ndeshjen. Ai e pranoi me qetësi faullin e vogël dhe me stilin e tij të zakonshëm të klasit botëror e bëri krosimin ndaj të cilit është vështirë të mbrohesh”, ka thënë Sheiblehner. Albian Ajeti startoi në sulm te Bazeli, por në ndeshjen e dytë rresht dështoi të shënoi gol. “Është dashur të jetë 5:1 apo 6:1 për ne, por në fund morëm fitore 2:1. Kemi luajtur për një gol për 85 minuta. Kemi bërë çdo gjë mirë. Nuk mbaj mend që Grasshoperi të ketë pasur ndonjë rast në pjesën e parë. Kam parë një ndeshje të mirë, ndonëse ishte ngushtë në fund”, deklaroi për mediat shqitari Albian Ajeti.
Mediat zvicerane kritik me Xherdan Shaqirin: Është larg formës që kishte sezonin e kaluar
