Në shtëpinë kuqezi vijon ndjekja për Ardon Jasharin, por presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka sqaruar pozicionin e klubit sa i përket mesfushorit të Club Brugge: “Nuk duam të ofrojmë shumë, ai dëshiron të vijë me çdo kusht”.
Fjalë që nuk lënë vend për interpretime, duke treguar qartë si strategjinë e Milanit, ashtu edhe vullnetin e lojtarit për ta mbyllur marrëveshjen me kushte të arsyeshme.
Një konfirmim ky për atë që më herët kishte nënvizuar edhe Igli Tare, me Milanin të bindur se ka paraqitur një ofertë “të rëndësishme dhe të përshtatshme” për lojtarin dhe që nuk ka ndërmend të bëjë rritje të mëtejshme.
Qëllimi i klubit kuqezi është të mos ndikohet nga spekulimet dhe të mos heqë dorë nga Jashari, por pa e rritur më tej ofertën aktuale prej 33.5 milionë eurosh + bonuse (nga të cilat 2 milionë janë lehtësisht të arritshme), duke garantuar praktikisht një shumë fikse prej 35.5 milionë eurosh.
Kjo ofertë nuk është refuzuar zyrtarisht nga Club Brugge, por sipas disa gazetarëve pranë klubit belg është konsideruar si “e pamjaftueshme”, gjë që ka shkaktuar edhe pakënaqësi te drejtori Igli Tare për mënyrën si po zhvillohet negociata.
Një përballje e vërtetë, me Milanin që kërkon ta mbyllë marrëveshjen sa më shpejt, duke shfrytëzuar dëshirën e vetë Jasharit për t’u transferuar te kuqezinjtë, ndërsa Brugge synon ta zvarrisë operacionin dhe ndoshta të hapë një ankand me klubet e Premier League.
Presidenti i Milaniti: Për Jasharin nuk duam të ofrojmë më shumë, dëshiron të vijë te ne me çdo kusht
