Adriatik BALLA
Ditët e merkatos po ikin me shpejtësi dhe në lidhje me Armando Brojën ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet. Natyrisht pritet shumë, pasi ai është lojtar me cilësi të larta dhe Çelsi që ka kartonin e futbollistit beson se mund ta shesë shtrenjtë në treg, por futbollisti ende nuk ka një ofertë konkrete nga ndonjë klub i njohur, edhe pse interesimet nuk kanë munguar. Ndërkohë, në Itali kontigjenti i futbollistëve shqiptarë duket në gjendje të mirë dhe po pret qetësisht ardhjen e momentit kur të nisë gara për sezonin e ri. Aty luan pothuajse bërthama kryesore e lojtarëve kuqezinj, ndaj marrin rëndësi të veçantë. Te Leçe Ylber Ramadani pati kritika në fundsezon dhe gati u largua, kurse për Medon Berishën shenjat janë të mira. Në lidhje me merkaton duhet thënë se emri i Kristjan Asllanit lakohet vazhdimisht në media si një lojtar që Interi dëshiron ta largojë, apo ta bëjë shkëmbim me ndonjë të preferuar në treg.
Berisha i preferuar te Leçe
Skuadra e Leçes është duke i zhvilluar stërvitjet në Bresanone të Italisë. Leçe ka filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm në Serie A. Në edicionin e kaluar, Leçe vetëm në xhiron e fundit e siguroi mbijetesën. Pjesë të Leçes janë dy mesfushorët e Kombëtares së Shqipërisë, Medon Berisha dhe Ylber Ramadani. Berisha të martën në një intervistë për “Sky Sport”, ka treguar se si po shkojnë stërvitjet. “Po ndërtojmë një ekip të shkëlqyer. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë me trajnerin Di Françesko, që nga fillimi. Seancat e dyfishta stërvitore nuk ndalen kurrë. Ai është një trajner që kërkon shumë dhe cilësi, dhe unë po mësoj shumë prej tij, madje edhe për sa i përket lëvizjes”, ka thënë Berisha. 21-vjeçari gjatë edicionit 2024/25 në Serie A u paraqit në 17 ndeshje dhe bëri një asistim. Ai pjesë e skuadrës së parë të Leçes është nga viti 2022. Kontrata i përfundon në vitin 2028.
Çelsi do 30 mln euro të lirojë Brojën
Armando Broja vijon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërkohë që klubi i Çelsit dje bëri një hap duke publikuar shifrat për kartonin e tij nëse dikush dëshiron ta blejë. Kështu, duke pasur parasysh interesimin e skuadrave gjermane drejtuesit e Çelsit tashmë ia kanë caktuar çmimin sulmuesit kuqezi dhe ky është lajm i konfirmuar tashmë. Janë mediumet angleze që kanë raportuar të martën se për ta liruar Brojën, Çelsi po kërkon 30 milionë euro. Klubi londinez nuk e ka në plan qendërsulmuesin për edicionin e ardhshëm dhe është i hapur që të dëgjojë oferta. Dy skuadrat nga Bundesliga gjermane, Shtutgart dhe RB Leipzig, e dëshirojnë transferimin e Reprezentuesit të Shqipërisë. 23-vjeçari me Çelsi ka kontratë deri në vitin 2028. Me gjigantin anglez ka luajtur në 38 ndeshje duke kontribuar me tri gola dhe dy asistime. Broja ishte i huazuar nga Çelsi tek Evertoni gjatë edicionit 2024/2025. Në të kaluarën ka pasur periudha huazimi edhe te Viteshe, Sauthemptoni dhe Fulhami.
Medon Berisha i kënaqur te Leçe, Çelsi i vë çmim Armando Brojës
