Jashtë planeve të Chivu, por refuzon çdo ofertë. Inter-Asllani, përplasja po acarohet

“Gjembi” në mesfushën e Interit është Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar është në merkato, por e ardhmja e tij është kthyer në një rebus të vërtetë. Kjo, sepse Interi ka humbur tashmë 15 milionë euro pas refuzimit të lojtarit për t’u transferuar dhe situata rrezikon të përsëritet nëse qëndrimi i Asllanit nuk ndryshon.
Në javët e fundit, klubi zikaltër kishte arritur marrëveshje me Real Betis për shitjen përfundimtare të mesfushorit, por ai refuzoi transferimin në Spanjë. Arsyeja? Asllani dëshiron të vazhdojë të luajë në Serie A dhe për momentin nuk është i gatshëm të pranojë destinacione jashtë Italisë.
Problemi? Nuk ka asnjë klub italian që për momentin është i gatshëm të përmbushë kërkesat ekonomike të Interit. Asllani, i cili u shfaq i buzëqeshur në grumbullimin e ekipit zikaltër në “Appiano”, ka kërkesa nga jashtë Italisë, atje ku Interi mund të përfitojë një shumë të përafërt me vlerësimin e lojtarit. Sidoqoftë, këmbëngulja e mesfushorit për të qëndruar në Itali e ndërlikon gjithçka.
Jashtë planeve – Drejtuesit e Interit kanë qenë të qartë me të që në fillim. Në një repart tashmë të mbipopulluar dhe të përforcuar me afrimin e Sucic, që do të ketë hapësirë, Asllani është jashtë projektit. Kjo situatë i është komunikuar personalisht lojtarit shqiptar në disa raste; në fund të sezonit të kaluar dhe sërish gjatë Kampionatit Botëror për Klube në SHBA.
Nëse Asllani nuk ndryshon qëndrim, e vetmja alternativë mbetet huazimi, një zgjidhje që Interi do donte ta shmangte. Ndaj kemi përplasje force, nëse nuk ka kthesë, rreziku i një qëndrimi të ashpër nga klubi është gjithnjë e më pranë.