Pep Guardiola flet për krahasimin e Jamal me Mesin: Duhet më parë të rritet, pastaj ta shohim

Adriatik BALLA
Tekniku Pep Guardiola foli mbi mundësitë që Lamine Jamal të zëvendësojë Lionel Mesin si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Mesi luajti nën drejtimin e Guardiolës për katër vite te FC Barcelona (2008–2012), duke qenë pjesë e një prej skuadrave më të mira në historinë e futbollit. Së bashku, ata mposhtën dy herë Mançester Junajtid në finalet e Champions League dhe dominuan futbollin spanjoll. Në atë periudhë, Mesi fitoi katër “Topa të Artë” radhazi, duke hapur rrugën drejt një rekordi prej tetë trofesh individualë gjithsej. Pas largimit të Mesit, Barcelona ka pasur vështirësi për të mbushur boshllëkun që ai la pas.
Ansu Fati mori fanellën me numrin 10, por nuk arriti të përballojë pritshmëritë e larta që shoqërojnë atë numër historik. Ndryshe nga Fati, Jamal është shpresa më e madhe e re e Barcelonës dhe shihet si pasardhësi më i afërt i Mesit. Në dy sezonet e fundit, ai ka shpërthyer duke u bërë një nga lojtarët më të mirë në Europë. Sezonin e kaluar e mbylli me 18 gola dhe 25 asistime, duke mahnitur tifozët me paraqitjet e tij dhe duke ndihmuar Barcelonën të arrijë deri në gjysmëfinalet e Champions League. Kjo ngritje ka bërë që shumë tifozë të spekulojnë nëse më në fund Barcelona ka gjetur pasuesin e Mesit – madje nëse Jamal mund ta tejkalojë atë. Së fundmi, për këtë çështje ka folur edhe trajneri aktual i Mançester Sitit, Pep Guardiola. Në një intervistë me Héktor Izquierdo, ai tha: “Mendoj se Lamine Jamal duhet të lejohet të zhvillojë karrierën e tij.
Dhe pas 15 vitesh do të shohim nëse është më i mirë apo më i dobët. Duhet ta lejojmë të rritet si lojtar. Fakti që krahasohet me Mesin është një gjë e madhe. Është si të krahasosh një piktor me Van Gogh – njerëzit do të thonë, ‘uou, nuk është keq’, dhe kjo tregon se është i mirë. Por duhet ta lejojmë të zhvillojë karrierën e tij dhe pastaj do të shohim.” Edhe vetë Mesi ka dhënë lëvdata për Jamal në fillimet e karrierës së tij. “Është mbresëlënëse ajo që po tregon Lamine Jamal, tashmë është kampion Europe me Spanjën. Është një nga më të mirët në botë. Ka vetëm 17 vjeç, është ende në proces rritjeje dhe do të vazhdojë të zhvillohet e të shtojë elementë në lojën e tij, ashtu siç bëra unë. Ka cilësi të jashtëzakonshme”, tha Mesi. Jamal tashmë ka fituar dy tituj të La Ligës me Barcelonën, si dhe Kupën e Mbretit. Me kombëtaren e Spanjës, ai shijoi suksesin në Euro 2024, ku në moshën 17-vjeçare luajti rol vendimtar në finalen kundër Anglisë (2-1), duke shënuar golin më të bukur të turneut dhe duke fituar çmimin e lojtarit të ri më të mirë.