27 Korrik 2025
19:40
Telesport
Çiklisti 26- vjeçar slloven Tadej Pogacar fitoi sot edicionin nr.112 të Turit të Francës. Ky është suksesi i tij i katërt në turneun më të rëndësishëm në botë në sportin e biçikletës, duke mbrojtur titullin fituar vjet.
Pogacar fitoi 4 etapa të këtij edicioni. Fillimisht ai e mori fanellën e verdhë të liderit në etapën e 5-të, e dorëzoi dhe rimori në etapën e shtatë. Ai e humbi sërish atë për ta rimarrë përfundimisht në etapën e 12-të dhe e mbrojti atë deri në fund.
Në përfundim të 21 etapave, çiklisti i skuadrës UAE dha kohën e përgjithshme 73h54’59”, duke lënë pas danezin Jonas Vingegaard, me +4’24” (i dyti). Ndërsa në vendin e tretë u klasifikua çiklisti gjerman Florian Lipowitz, me më shumë se 11 minuta vonesë në renditjen e përgjithshme.
Slloveni e ka fituar këtë turne edhe në vitet 2020 e 2021, duke u konfirmuar si çiklisti më i mirë në botë. Një kampion i padiskutueshëm i biçikletës, që rikonfirmohet si fitues i Turit të Francës, ndërkohë që ka fituar edhe një herë Xhiron e Italisë (2024).
