Marsela SHYTIA
Pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, deputetët e legjislaturës së nëntë, nuk kanë arritur ta konstituojë Kuvendin e Kosovës, as në përpjekjen e 52-të. Dje, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka përmbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, meqë vetëm 54 deputetë votuan për që të ndryshojë metoda e votimit nga e hapur në atë të fshehtë për kryekuvendar. Dehari propozoi që edhe në përpjekjen e 52-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës të vazhdohet me votim të fshehtë për të zgjedhur kryekuvendarin. Seanca e radhës do të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Zhgënjimi i ambasadorëve
Ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët morën pjesë në përpjekjen e 52-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila dështoi të prodhonte rezultat sërish, janë shprehur të zhgënjyer. Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se në Kuvend shkuan me shpresë të madhe se do të kishte diçka të re. “Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish”, tha ai para mediave. Sipas tij është e domosdoshme krijimi i institucioneve sa më parë. Në anën tjetër, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se politikanët po e zhgënjejnë popullin. “Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, ka thënë ai në Kuvend. Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar që politikanët në Kosovë të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund ngërçit para se të përfundojë afati i përcaktuar 30 ditor nga Gjykata Kushtetuese.
Ngërçi politik
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së. LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja. Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.
Vendimi i Gjykatës
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, e cila ndalon çdo vendim dhe veprim të ndërmarrë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në lidhje me seancën konstituive, nga 27 korriku deri më 8 gusht. Ky vendim është marrë pas kërkesës nga deputetët Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami dhe 22 deputetë të tjerë, të cilët ngritën shqetësimin se veprimet e deputetëve të zgjedhur mund të shkelin aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht dispozitat që përcaktojnë afatin për organizimin e seancës konstituive. I njëjti do të lejojë që Kuvendi të shfrytëzojë ditët e mbetura të afatit 30 ditor, por nuk do të marrë asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht. Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar të martën dy lëndë në Gjykatën Kushtetuese njërën për masë të përkohshme që pezullon rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe tjetrën për konfliktin e kompetencave.
Vazhdon “saga” e konstituimit të Kuvendit në Kosovë, si i zhgënjeu Prishtina sërish ndërkombëtarët
