Adriatik BALLA
Ndonëse fitoi titullin e kampionit në Premier League, Liverpuli vazhdon të shpenzojë miliona euro në përforcime për edicionin e ri. Të mërkurën “të kuqtë” siguruan shërbimet e sulmuesit francez, Hugo Ekitike, që u transferua nga Eintraht Frankfurti. Por ky mund të mos jetë transferimi i fundit për skuadrën e Arne Slot. Ekitike është lojtari i radhës i transferuar nga Liverpuli për shifër të lartë. Më herët skuadra me nam ka transferuar Florian Virtzin, Jeremie Frimpogun dhe Milos Kerkezin. Dhe tashmë ka shpenzuar plot 290 mln euro. 23-vjeçari Ekitike është transferuar për 79,5 mln euro, ndërsa ka firmosur për gjashtë vjet. Dëmshpërblimi për Ekitiken mund të rritet për 11.5 mln euro të tjera.
Trajneri Arne Slot ishte i zënë gjithë verën për të forcuar ekipin që e fitoi, titullin e 20-të të Anglisë. Sidomos ka bërë përforcime për sulm. Virtz u transferua muajin e kaluar nga Bayer Leverkuseni për dëmshpërblim që mund të bëhet rekord britanik prej 133 milionë eurosh. Ai konsiderohet njëri prej talenteve më të mëdha në Evropë. Ekitike është tjetër lojtar që shkëlqeu në Gjermani, pasi u largua nga PSG-ja vitin e kaluar. Ai i shënoi 22 gola në 48 paraqitje për Frankfurtin. Ky klub gjerman ka përfituar shumë nga francezi. E bleu vjet për 16 mln euro. Transferimi i Ekitikes u kompletua disa javë pasi sulmuesi i Liverpulit, Diogo Jota, vdiq në një aksident me veturë në Spanjë. Ka pasiguri për të ardhmen e dy sulmuesve të tjerë, Darëin Nunez dhe Luis Diaz, që janë shënjestruar nga ekipe të tjera evropiane.
Liverpulin e pret garën e fortë për titull nga skuadra si Mançester Siti, Arsenali dhe Çelsi, që po ashtu kanë shpenzuar shumë gjatë verës. Tashmë është e qartë se Liverpuli synon të ndërtojë sukses të qëndrueshëm. Liverpuli ka bërë dy prej tri transferimeve më të mëdha në histori të klubit në pesë javët e fundit. Nuk ka telashe me financat e po ashtu me respektimin e rregullave të ferplejit financiar. Dhe po shquhet për disiplinën financiare. Për këtë vit të ardhurat financiare për herë të parë planifikohet të kalojnë 700 milionë funte (806 milionë euro). Liverpuli fitoi mbi 92 milionë euro nga kthimi në Ligën e Kampionëve dhe rreth 207 milionë euro nga fushata triumfuese në Premier League. Janë rritur edhe të hyrat nga ndeshjet dhe të hyrat komerciale. Priten largime dhe ardhje të reja. Liverpuli është duke u drejtuar mirë dhe nuk duket se do të ndalet.
Shpenzimet e Liverpulit kalojnë shifrën e 200 mln eurove, synohet titulli në Angli dhe trofeu Champions League
