Adriatik BALLA
Disa kuqezinj janë duke pritur në këtë periudhë të mësojnë emrin e skuadrës së re për sezonin e ri në Europë. Një pjesë e kanë kryer tashmë transferim, por ka plot tjerë që janë në pritje dhe shenjat duken të mira për disa. Ka dhe të tjerë që lakohen se mund të shiten por ata kanë vendosur të mos dalin në treg e të mos largohen sikurse është rasti i Kristian Asllanit tek Interi. Për momentin, lojtari më i lakuar në treg është Armando Broja, për të cilin ende nuk ka një lëvizje zyrtare. Çelsi e ka nxjerrë në shitje, ka interesime nga disa skuadra por lojtari ende nuk ka bërë lëvizje konkrete dhe është në pritje.
Klaus Gjasula mbetet në kategorinë e tretë gjermane
Skuadra e Rot Vais Esen nuk është elitare në Gjermani, por për një mesfushor veteran është vendi i duhur për të zgjatur karrierën dhe për të ruajtur ritëm të lartë performance. Në fakt, Klaus Gjasula ka qenë një nga emrat më të përfolur në merkaton e klubeve të Superiores. Mesfushori i cili i dha lamtumirën Kombëtares shqiptare vitin e kaluar, protagonist në Euro 2024, pritej që të niste një aventurë të re në vendin tonë duke iu bashkuar Dinamos. Zërat u intensifikuan në fillimin e merkatos, kur Dinamo po ndërtonte ende grupin me të cilin do të përballonte pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Por më pas gjithçka u la në harresë dhe emri i Gjasulës nuk u përmend më në ambientet e bluve kryeqytetas. Duket se gjithçka është mbyllur përfundimisht edhe me postimin më të fundit të vetë mesfushorit shqiptar. Gjasula ka publikuar në rrjetet sociale momentet gjatë fotove zyrtare për sezonin e ri me skuadrën e Rot Vais Esen, e cila militon në kategorinë e tretë gjermane dhe ku duket si do të vazhdojë karrierën e tij.
Interi po riorganizon grupin, Asllanin nxjerr në shitje, por shqiptari nuk largohet
Kristjan Asllani ndodhet për momentin te Inter, por klubi italian nuk e ka në planet e sezonit të ri dhe dëshiron ta shkëmbejë në treg. Në fakt, mediat sportive italiane shkruajnë se mesfushori shqiptar është midis lojtarëve që pritet të largohen nga zikaltrit këtë afat kalimtar veror. Por kurrë më shumë se në këtë rast, përdorimi i kohës është i nevojshëm. Po, sepse futbollisti i Kombëtares shqiptare, sipas Il Corriere dello Sport, e ka refuzuar Real Betisin si një destinacion të mundshëm. Diskutimet me klubin spanjoll dukeshin vërtet premtuese, por Asllani e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Italia dhe Serie A, të paktën për momentin. I paguar 14 milionë euro nga Empoli në merkaton e verës 2022, Asllani nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e Interit. Ai tani është nxjerrë në shitje, megjithëse gjetja e një vendi për të nuk do të jetë e lehtë. Në fakt, Interi aktualisht po punon për të gjetur fondet e nevojshme për të qenë në gjendje të nisë një sulm vendimtar për Ademola Lukman. Sulmuesi i Atalantës është objektivi numër një i Marotës dhe Auzilios për të forcuar repartin sulmues në dispozicion të trajnerit Kristian Kivu pasi “Perëndesha” refuzoi ofertën e parë të bërë nga Interi, me vlerë rreth 40 milionë euro.
Klaus Gjasula mbetet në kategorinë e tretë gjermane, Asllani vijon përplasjet me Interin
