Kosova “në vend numëro”, shtyhet për herë të 51-të konstituimi i Kuvendit

Edhe tentativa e 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka sjellë rezultat, ndërsa dje  nuk është zhvilluar as hedhja në votim. Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ndërpreu atë, duke thënë se nuk ka kushte për zhvillimin e saj. Kjo ndodhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia largoi mikrofonin. Paraprakisht, Dehari nuk e lejoi atë të debatonte për çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Në seancën e djeshme pritej përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit. Dehari e caktoi mbledhjen e radhës për datën 25 korrik, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e institucionit ligjvënës skadon vetëm një ditë pas. Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë arritur ta konstituojnë atë, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk ka kaluar në votim të hapur. Vetëvendosje insiston që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por opozita kundërshton. Në mes të këtij ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 26 qershor që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, por nuk ka sqaruar se çfarë ndodh në rast të mosrespektimit të këtij afati. Katër ditë para skadimit të tij, më 22 korrik, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë dhe një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor. Disa deputetë të partive opozitare në legjislaturën e kaluar e kanë konsideruar të vonuar kërkesën e Osmanit dhe kanë thënë se kërkesa për masë të përkohshme pezullimi i jep më shumë Vetëvendosjes për të vazhduar me bllokimin e institucioneve të Kosovës.