“Modrić është gjeniu i kohës sonë, shpresoj të na dhurojë emocione deri në Botërorin 2026”

Davor Šuker, ish-sulmues i Sevilla, Real Madridit dhe i kombëtares kroate, ka vlerësuar nivelin e lartë të Botërorit të fundit për Klube, duke shprehur dëshirën që turneu të zhvillohet çdo dy vite, ashtu siç e dëshiron edhe Real Madridi.
“Turneu tregoi një nivel shumë të lartë, shpresoj që të bëhet kompeticion bienal”, – deklaroi Šuker, i cili aktualisht është ambasador i FIFA-s për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Duke analizuar turneun, ish-presidenti i Federatës Kroate të Futbollit (2012–2021) theksoi: “Të gjitha klubet treguan cilësi, por ato europiane mbeten ende superiore në aspektin fizik dhe taktik. Brazilianët dhe disa argjentinas shkëlqyen teknikisht, por gjysmëfinalet flasin qartë: tre nga katër skuadra ishin europiane, PSG, Chelsea dhe Real Madridi”.
Një admirues i madh i Luka Modrić (i cili ndërkohë është transferuar te Milani), Šuker ishte pikërisht ai që dikur ia rekomandoi mesfushorin klubit madrilen: “Rastësia midis gjeneratës së artë kroate dhe asaj të Real Madridit ka një emër: Luka Modrić. Ai është një gjeni i kohës sonë. Shpresoj të na dhurojë ende emocione deri në Botërorin 2026”.
Sa i përket Real Madridit, që u pa në Botërorin e Klubeve, legjenda kroate (Šuker) mbrojti punën e trajnerit Xabi Alonso: “Ai sapo ka mbërritur, duhet kohë dhe durim. Skuadra ka bërë mirë dhe do të rritet gjatë sezonit”.