Tragjedia në Koçan/ Shkon në 60-të numri i viktimave, ndërron jetë banakieri i diskotekës ‘Pulse’

Numri i viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu diskotekën “Pulse” në Koçan ka arritur në 60. Në orët e para të mëngjesit të së premtes, ndërroi jetë Aleksandar Karadakovski, i cili prej gati tre javësh luftonte për jetën në një klinikë të specializuar në Lituani. Pavarësisht trajtimit intensiv, ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda që kishte marrë nga ngjarja.
Karadakovski punonte si banakier në diskotekë, por nga klientët njihej edhe si menaxheri i saj. Ai ishte një nga 34 personat nën hetim nga Prokuroria lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë, pasi diskoteka rezultoi se funksiononte pa licencë të vlefshme dhe pa përmbushur kushtet teknike për mbrojtjen kundër zjarrit. Po ashtu, në ambientet e saj ishin lejuar të hyjnë të mitur, një shkelje serioze e ligjit.
Sipas hetimeve, zjarri shpërtheu me shpejtësi pas ndezjes së fishekzjarrëve gjatë performancës së grupit muzikor ADN, ndërsa struktura e dobët dhe materialet lehtësisht të djegshme të objektit kontribuan në përhapjen fatale të flakëve.
Autopsitë kanë konfirmuar se shumica e viktimave kanë humbur jetën nga asfiksia e shkaktuar nga monoksidi i karbonit, ndërsa në tre raste janë evidentuar fraktura të brinjëve të shkaktuara nga shtypja e turmës gjatë përpjekjeve për të dalë nga godina në panik.
Mjekësia Ligjore pritet të përfundojë edhe analizat toksikologjike për të përcaktuar substancat e pranishme në gjakun e viktimave, ndërkohë që hetimet mbi përgjegjësitë dhe shkeljet vazhdojnë intensivisht.