Adriatik BALLA
Arsenali po vijon merkaton dhe përgatitjet për sezonin e ri. Ecuria në dy vitet e fundit ka qenë e mirë, por klubi kërkon të rritet edhe më tej, për të mundësuar trofe në Angli dhe jashtë saj, pra në kompeticionet e UEFA-s. Me trajnerin Mikel Arteta gjendja është stabilizuar, por trofetë e mëdhenj mungojnë,. Mbi të gjitha mungon titulli në Premier League. Nga ana tjetër, në prag të sezonit të ri në ka shpërthyer një skandal, ku një lojtar akuzohet për përdhunimin e tri femrave dhe klubi është bërë përgjegjës që nuk ka mbajtur qëndrimin e duhur në kohën e duhur. Situata ka prekur edhe trajnerin Arteta, i cili dje mbajti një qëndrim, duke mbrojtur klubin, por sërish ka ngjarje që mund të sjellin vështirësi për Arsenalin. Kështu, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thyer heshtjen për rastin e Thomas Partey, pas akuzave zyrtare për përdhunim që rëndojnë mbi ish-mesfushorin e Topçinjve. Arteta deklaroi se është i bindur se klubi i ka ndjekur të gjitha procedurat siç duhet. Në 4 korrik, Policia Metropolitane konfirmoi se Partey është akuzuar për pesë akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual. Konkretisht, dy akuza kanë të bëjnë me një grua, tre të tjera me një grua të dytë, dhe një akuzë për sulm seksual me një të tretë. Ngjarjet e pretenduara thuhet se kanë ndodhur mes viteve 2021 dhe 2022.
Mesfushori ganez pritet të dalë në gjykatë më 5 gusht në “Uestminster Magistrates’ Court”. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa avokati i tij ka deklaruar për The Athletic: “Ai tashmë mirëpret mundësinë që më në fund të pastrojë emrin e tij.” Parti u arrestua fillimisht në korrik 2022 dhe çështja iu dorëzua Prokurorisë së Kurorës (CPS) në dhjetor 2024. Sipas ligjeve të Mbretërisë së Bashkuar, emri i tij nuk mund të bëhej publik deri në momentin kur u ngritën akuzat zyrtare këtë muaj. Gjatë gjithë kësaj kohe, Partey vazhdoi të luante për Arsenalin, deri në përfundimin e kontratës së tij më 1 korrik 2025. Në një konferencë për shtyp në Singapor, para fillimit të turit parasezonal të Arsenalit në Azi, Arteta u pyet për këtë çështje. Ai tha: “Klubi ka qenë shumë i qartë në deklaratën e tij. Ka shumë çështje ligjore të ndërlikuara, prandaj nuk mund të komentoj më tej.” Kur u pyet nëse është i sigurt që klubi ka ndjekur të gjitha procedurat siç duhet, ai u përgjigj shkurt: “100 për qind.” Në deklaratën zyrtare të Arsenalit pas publikimit të akuzave nga Policia Metropolitane thuhej: “Kontrata e lojtarit përfundoi më 30 qershor. Për shkak të procedurave ligjore në vazhdim, klubi nuk mund të komentojë për këtë rast.”
Arteta i del në krah klubit të Arsenalit për rastin “Partey”, lojtari akuzohet për përdhunim
