Adriatik BALLA
Boksi profesionist botëror ka një figurë që e dominon këtë sport në mënyrë të padiskutueshme dhe që në dekadat e fundit është ndonta më i miri e një prej më të mirëve në krejt historinë e boksit. në fakt, me nokautin që i shkaktoi në raundin e pestë Daniel Duboisit të shtunën mbrëma, Oleksandër Ushijk dha prova tjera bindëse pse ai duhet të konsiderohet boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë që nga Lenoks Ljuis.
Goditja me të majtën që e la Duboisin të rrëzuar para 90 mijë shikuesve në stadiumin “Wembley” në Londër, ishte gjë e bukur e cila vulosi në mënyrë të përkryer mbretërimin e dytë të ukrainasit Ushijk si kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Ushijk tani ka 25 fitore, prej tyre 14 me ndërprerje. Përderisa 38-vjeçari nuk humb ndeshjen e tretë të mundshme me Tajson Furin në prill të vitit 2026, apo një luftë për titull më vonë këtë vit, ndoshta kundër Josef Parkerit, ai do të mbetet në histori se boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë në dy dekadat e fundit.
Po ashtu Ushijk mund të konsiderohet kampioni më i mirë i kategorisë kruzer për tri dekada, që kur boksierë si Duight Muhamed Qavi dhe Evander Holifield sunduan në mesin e viteve 80-të, shekullit të kaluar. Ushiku ishte kampioni i parë i padiskutueshëm në kategorinë kruzer. E dominoi këtë kategori nga viti 2016 deri në vitin 2018, para se të kalonte në kategorinë e rëndë. Ai tani ka mbrojtur tituj në kategorinë e rëndë pesë herë rresht, ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë. Ka mposhtur ish-kampionë dhe kampionë aktualë. Arritjet e Ushijkut në kategorinë e rëndë kanë tejkaluar sukseset e tij në kategorinë kruzer.
Ai ka mposhtur nga dy herë më të mirët e kësaj epoke, Tajson Furin, Anthoni Joshuan dhe Daniel Duboisin. Dhe kështu ka përfunduar çdo debat se kush është më i miri i kohës. Dubois ishte ankuar se kishte dhënë një grusht të fortë në trupin e ukrainasit, në përballjen e tyre të parë, dy vjet më herët. Por (me të drejtë) ajo u konsiderua si goditje nën brez. Ushijk e kishte mposhtur britanikun me grushte të forta në pjesën tjetër të duelit, për një nokaut teknik në raundin e nëntë. Dhe në duelin e dytë, të shtunën mbrëma, fitorja ishte edhe më bindëse. Parker 33-vjeçar, duket që do të jetë sfidues i detyrueshëm i Ushijkut para Furit, për titullin në versionin ËBO. Bilanci i përkryer i Ushijk, me 13 fitore në luftërat për titull të botës si dhe një medalje të artë olimpike në vitin 2012, e bën të pakrahasueshëm. Trashëgimia e 38-vjeçarit është e jashtëzakonshme. Nuk krahasohet me të asnjë boksieri tjetër që nga koha e Lenoks Ljuisit.
Oleksandër Ushijk dëshmohet si një nga më të mirët në historinë e boksit
