Pak ditë më parë u bënë ndryshime në ligjin për sportin, ku federata të caktuara dolën kundër, pasi e gjithë arka financiare përqendrohej në pak duar, kryesisht nga KOKSH-it, e nga ana tjetër, ka një pakësim të ndjeshëm të numrit të sportistëve në shumicën dërrmuese të federatave, duke vënë në pikëpyetje ardhmërinë e sportit në Shqipëri. Të paktën kështu mendojnë zërat opozitarë. Në fakt, alarmin pak kohë më parë e dha edhe FSHF, e cila apeloi tek MARS të ndërhyjë për të frenuar paligjshmërinë në KOKSH e duke kërkuar me forcë që të zbatohen vendimet e Lozanës. Madje, ish-kreu i KOSH-it, Viron Bezhani, një nga zërat kritikë me atë që ndodh në sport, i ka dërguar një letër Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ku i kërkon të mbajë qëndrim e të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës dhe zbatimin e vendimeve të Lozanës. Kjo situatë e nxehtë duket se do të vijojë edhe më tej. Gazeta “SOT”, intervistoi Viron Bezhanin, i cili insistoi se gjykata shqiptare, e cila duhej thjesht të firmoste vendimin e Lozanës, nuk e bën publik vendimin e saj duke futur çështjen e ligjshmërisë në KOKSH në kolaps dhe duke e zgjatur më tej paligjshmërinë në atë institucion.
– Javët e fundit pati një përplasje mes FSHF-së dhe KOKSH-it. Në këtë histori edhe ju keni pasur qëndrimet tuaja, duke akuzuar KOKSH-in për paligjshmëri, pasi nuk është respektuar vendimi i CAS Lozanës. Shumë pikëpyetje janë ngritur ndërkohë që tensioni po rritet gjithashtu. Pse?
– Këto pikëpyetje nuk i kam ngritur vetëm unë, këto nuk janë shqetësime vetëm të miat, por kanë të bëjnë me zhvillimin e sportit në Shqipëri. Ky nuk duhet parë si një raport FSHF-KOKSH, por si një raport Drejtësi-Padrejtësi. Në fillim këtë çështje në gjykatën ndërkombëtare desha ta çoj unë, por s’kisha fuqi financiare. Si përfundim, betejën e vijoi FSHF. Që nga fillimi ndërkombëtarët kanë konstatuar paligjshmërinë e asamblesë së KOKSH-it. Në këtë rast Federata Shqiptare e Futbollit mbrojti parimet, kurse Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar u zhyt në paligjshmërinë e tij edhe më tej. S’mund të jesh i ligjshëm, kur ka një vendim të Lozanës që je i paligjshëm. Nuk ka asgjë personale mes Armand Dukës dhe Fidel Yllit, çështja është mes drejtësisë dhe padrejtësisë, mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Në të gjitha etapat e funksionimit, KOKSH është në paligjshmëri, si në organizim, si në strukturë drejtuese dhe në vendimet që merr. Asambleja që bënë këta në KOKSH është e paligjshme dhe këtë e ka argumentuar Lozana.
– Arbitrazhi ka marrë një vendim, pse nuk po zbatohet?
– Këtë pyetje shtroj edhe unë. Megjithatë, ndodhën disa ndryshime dhe këta përfituan pak kohë, por verdikti i Lozanës është për t’u zbatuar, ai nuk diskutohet, vetëm zbatohet. Këta nuk e kanë zbatuar dhe për këtë janë në paligjshmëri. Situata ka mbërritur këtu ku jemi jo se jemi ankuar ne, por se gjykata në Lozanë ka marrë një vendim dhe vendimet e tyre ata nuk i hedhin poshtë. Një ditë KOKSH-i ka për të dhënë llogari, kjo është e pashmangshme. Duket e pabesueshme por gjykata jonë, e cila duhet thjesht të firmoste vendimin e ardhur nga Lozana dhe të mundësonte zbatimin e vendimit, merr një vendim që nuk i takon dhe ajo që është më e keqja është se ne nuk dimë çfarë vendimi ka marrë gjykata jonë, pasi nuk e ka bërë atë publik. Këtu ndodhin marrëzira të paimagjinueshme. Qeveria gjithashtu është zhytur në paligjshmërinë e saj në këtë drejtim, pasi jep mbështetje për një institucion me probleme. Asnjë gjykatë, e çfarëdo vendi qoftë, nuk kthen dot vendimet e gjykatës së Lozanës. Si mundet gjykata jonë të mos njohë vendimin e CAS Lozanës?! Në këtë rast gjykatës tonë nuk i lejohet të bëjë veprime e interpretime. Ajo thjesht duhet të firmosë vendimin e marrë nga Lozana. Kjo ngjarje përbën një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar. Tjetra që dua të shtoj, ne nuk marrim dot vendimin e gjykatës tonë. Thuhet se është marrë një vendim, por ai nuk bëhet publik. Si është e mundur kjo? Shkoj unë interesohem, por s’ma japin vendimin. Pra, kjo gjykatë ka marrë rol politik, duke i shërbyer paligjshmërisë.
– Çfarë hapi do të ndërmerrni?
– Ne nuk kemi mundësi tjetër veçse ta ndjekim çështjen me ndërkombëtarët, pasi këtu institucionet janë zhytur në paligjshmëri. Më thoni ju, në cilin vend të botës ka ndodhur të mos zbatohet një vendim i Lozanës? S’ndodh në asnjë vend e s’mund të ndodhë, pasi ajo gjykatë merr vendime të formës së prerë, që vetëm zbatohen. Por këtu problemi po trashet. Këta sportin po e çojnë në pikiatë, pasi nuk mendojnë për zhvillimin dhe të ardhmen e tij, por e shfrytëzojnë sportin politikisht, bëjnë propagandë me sportin. Dhe në këtë prizëm bravo u qoftë pasi e kanë shfrytëzuar maksimalisht, pasi nga sporti kanë bërë vota, kanë përfituar financiarisht e madje dhe kanë abuzuar pa u hyrë gjemb në këmbë. Sporti rrënohet e këta pasurohen.
– Ju e njihni mirë shumësportëshin, nisur dhe nga përvoja e drejtimit të institucioneve përkatës. Si paraqitet shumësportëshi ynë sot?
– Shumësportëshi në Shqipëri është në gjendje alarmante. Kryesorja, nuk ka një ligj sponsorizimi, që do të mundësonte daljen nga apatia e deritanishme dhe do t’u jepej një mbështetje sportistëve e klubeve. Duke mos pasur ligj sponsorizimi, nuk ka lekë për sportin. Dhe situata vjen në nivelin që në atletikë ka vend të parë e të dytë, por s’ka vend të tretë, pasi nuk ka sportistë në mjaft disiplina. Nuk kemi sportistë, ky është një problem serioz. E si të kemi kur sporti në shkollë (një projekt) merr shumëfish krahasuar me federatat që organizojnë dhe menaxhojnë aktivitetet. Prindërit nuk kanë nevojë për fëmijët e tyre thjesht të marrin një palë tuta, duhet që fëmija të angazhohet në sport, të seleksionohet sipas rregullave profesioniste. Po t’i jepeshin sportit mund të kishte organizim më të mirë, mund të rriteshin rezultatet. Si ka mundësi që këtu tek ne shkëlqejnë vetëm sportistët e huaj? Çfarë tregon kjo? Si ka mundësi që nuk ka asnjë shqiptar që shkëlqen ? A po e shihni se në krejt sportet po na përfaqësojnë sportistë të huaj të ardhur nga vende të ndryshme që i kemi pajisur me pasaportë? Pse shqiptarët nuk mbështeten? Ky është një problem serioz. Problemi tjetër lidhet me numrin, rënia e ndjeshme e numrit të sportistëve. Po ju jap një shembull: Kur drejtoja federatën e mundjes (deri në vitin 2009), kisha 750 sportistë të regjistruar. Se di sa janë sot.
– E parë kështu duket se kemi bërë një hap prapa…
– Jo një hap, kemi bërë 100 hapa prapa. Që kur isha president në KOKSH-it u pata thënë të ndjekim shembullin e Kosovës, me ligjin e sponsorizimit. Kosova nuk është ende një shtet i konsoliduar. Është shtet i ri, por e kishte ndërmarrë këtë hap dhe sot ju e shihni që Kosova ka progres të rëndësishëm në disa sporte. Po ne ku jemi? Këtu nuk ka kush interes të zhvillohet sporti. Këtu interesi është xhepi e asgjë tjetër. Ku duhet ta gjejmë zgjidhjen? I thamë një zv/ministri shikoni se ka abuzime me fondet. E dini cila ishte përgjigja e tij: “Nuk merremi ne me abuzimet”. Jepen 7-8 mln euro për sportin në shkollë e vetëm 1 mln euro për krejt federatat sportive. Po çfarë formule qenka kjo?
– Pra, nënkuptoni se ligji për sportin, me ndryshimet që u bënë, pati në plan të nxjerrë jashtë loje federatat?
– 100% për të nxjerrë jashtë loje federatat, e për t’i kaluar fondet në duar “të sigurta”. S’ka nevojë për argument, pasi kjo tani ka dalë sheshit, duke e vënë sportin në kushtet e mbijetesës dhe duke i privuar mjaft sportistët në ëndrrat e tyre. Desha të shtoj, si ka mundësi që del KOKSH e merr në mbrojtje ligjin, kur nuk e lidh asgjë me të, absolutisht asgjë? Ligjin e nxori ministrja, ç’lidhje ka KOKSH që të dalë ta mbrojë? Që këtu nis paligjshmëria dhe djallëzia. Natyrisht, ai që del e mbron ka një interes, sepse kërkon të zgjatet paligjshmëria e tij.
– Ju keni folur shpesh për gazetën “SOT” në lidhje me një çështje të ndjeshme, sikurse është ajo e dosjeve. Kjo pasi shumë ish-funksionarë të regjimit të kaluar, me dosje, janë përfshirë në detyra të rëndësishme shtetërore. A ka edhe në sport njerëz me dosje?
– Spiunët janë përfshirë edhe në sport, ju garantoj për këtë. Disa zv/ministra janë përfshirë edhe pse kishin dosje. Madje, një zv/ministër arriti të kalojë pasi pati ndryshim në ligj dhe ia hodhi. Pra, dua të them, këta janë futur kudo. Kjo ndodh pasi ky kontigjent janë mësuar të jenë tipa të tillë që depërtojnë kudo. Ajo që më shqetëson është se nëpërmjet fondeve ushqehen të tjerë e jo sportistët. Unë i rikthehem çështjes së momentit, që është precedenti i rrezikshëm që këta kanë hedhur poshtë vendimin e dhënë nga Lozana. Nuk ndodh kurrë të hidhet poshtë një vendim gjykate i Lozanës, por këta e hodhën dhe krijuan kështu një precedent të rrezikshëm që mund të ketë pasoja për sportin. Unë jam i sigurt se Lozana do i durojë pak kohë, por në fund do të shkojë e vërteta në vend. Për momentin situatën në dorë e ka federata e futbollit. Ajo po e vijon betejën. Nga ana tjetër, siç jeni në dijeni, unë i kam bërë një letër presidentes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, ku i kërkoj të analizojë rastin dhe të mbajë qëndrim mbi uzurpimin e KOKSH nga paligjshmëria. Nga ana tjetër, më vjen keq për këtë situatë të krijuar, pasi i kemi pasur mundësitë për ta zgjidhur. Ata nuk erdhën kurrë të më pyesnin: ore si t’ia bëjmë, si mund ta zgjidhim këtë? Kjo situatë është e turpshme dhe e dëmshme për sportin. Ata nuk duan zgjidhje, por duan paligjshmëri. Kur shkon në gjykatë, kreu i KOKSH-it, Ylli, i drejtohet panelit: “jam miku i kryeministrit”. Çfarë do të thuash me këtë? Ku të çon ky mentalitet? Uroj shumë që kjo paligjshmëri të marrë fund dhe KOKSH t’i kthehet normalitetit dhe ligjshmërisë.
Intervistoi: Adriatik BALLA
