Adriatik BALLA
Futbollistët e përfaqësueses, pjesa dërrmuese, janë kthyer pranë skuadrave të tyre pas pushimeve verore dhe po nisin përgatitjet për sezonin e ri. Natyrisht ka ende shumë lojtarë që nuk e kanë marrë vendin se ku do të luajnë sezonin e ri, duke shqyrtuar ofertat dhe duke pritur për alternativën më të mirë. Por pjesa e titullarëve të rëndësishëm të përfaqësueses janë me kontrata dhe pjesë e grupeve titullare të klubeve të tyre, ndaj kanë nisur punë pa humbur kohë.
I tillë është kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, i cili është pjesë e Atalantës, kurse të rinj të tjerë shqiptarë po përpiqen të gjejnë destinacione më të mira për karrierën e tyre, duke dashur të ngjisin shkallë cilësore për karrierën duke u ngjitur në liga më elitare të futbollit italian. Së fundmi është Klevis Bozhanaj që firmos me klubin e Karrarezes. Por edhe të tjerë lojtarë janë në pritje për të mësuar destinacionin e preferuar për karrierën e tyre.
Gjimshiti zbarkon te Atalanta
Pushimet për Berat Gjimshitin kanë marrë fund dhe për të ka ardhur koha e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen. Vendime që kanë çuar karrierën e tij në kryqëzimin tundues mes një tjetër eksperience në Ligën e Kampioneve dhe milionave që i ofrohen nga Katari. Dhe gjesti i fundit i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, duket se shtyn më shumë drejt eksperiencës europiane. Gjimshiti ka përpara prej javësh një ofertë tunduese nga një klub në Katar, që i ofron një rrogë shumë më të lartë se ajo që përfiton te Atalanta.
Por në radhët e zikaltërve, ai është një titullar i padiskutueshëm edhe me largimin e trajnerit Gasperini, ndërsa klubi planifikon që në rast se nuk largohet, t’i ofrojë rinovimin e kontratës 32-vjeçarit. Fakti që Gjimshiti ka qenë një ndër tre të parët që është shfaqur në klinikën e Atalantës për të kryer testet e zakonshme mjekësore para fillimit të stërvitjeve për edicionin e ri, të shtyn të mendosh që vendimi i tij është për qëndrimin te kjo skuadër. Të paktën edhe për një tjetër sezon ku do të jetë i padiskutueshëm në Serinë A dhe në Ligën e Kampioneve në radhët e klubit të tij.
Bozhanaj firmos me Karrarezen
Sezoni i ri do të gjejë mesfushorin kryeqytetas Kleis Bozhanaj si pjesë të Karrarezes në Serinë B. Klubi në fjalë, ia ka dalë të huazojë futbollistin 24-vjeçar me të drejtë blerje nga radhët e Modenës ku ka luajtur në dy sezonet e fundit. Bozhanaj, i cili ka qenë pjesë e akademisë së Partizanit dhe Internacional Tirana para se të transferohej në Itali te Empoli, është që nga viti 2017 pjesë e akademive apo klubeve të ndryshme jashtë Shqipërisë. Me Karrarezen ai zhvilloi sezonin e tij të parë të mirëfilltë si protagonist në Serinë C në edicionin 2022-2023, para se të kalonte te Modena me të cilën spikati në Serinë B, duke luajtur 48 ndeshje në të cilat shënoi 5 gola e dha 3 asiste. “Karrareze është e lumtur të njoftojë se ka arritur një akord me klubin e Modenas për blerjen e përkohshme, me të drejtën e blerjes përfundimtare të paraqitjeve sportive të futbollistit Kleis Bozhanaj, i cili do të lidhet me klubin tonë deri më 30 qershor 2026”, shkruhej në njoftimin e Karrarezes për afrimin e futbollistit shqiptar me formulën e huazimit.
Gjimshiti zbarkon i pari për testet tek Atalanta, Klevis Bozhanaj firmos me Karrarezen
